Pas marrjes së lajmit për vendosjen e një kryqi në zonën e Gurit të Zi, ShkodraWeb ka investiguar rastin dhe ka arritur të zbulojë detajet. Sipas banorëve të zonës vendndodhja e saktë e kryqit, i cili mendohet se është vënë në përkujtim të rënies së ushtarëve malazezë është në Gjoç të Rragamit, në afërsi të digës. Banorë të zonës të kontaktuar nga ShkodraWeb thonë se ai është vendosur në oborrin e shtëpisë së Pjetër Kol Hila. Personi në fjalë ka deklaruar se e ka mikpritur me dëshirë vendosjen e kryqit në oborrin e tij, por nuk ka pranuar të japë më shumë detaje. Madje, ai nuk flet as për ata që e kanë vendosur kryqin në oborrin e tij.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës, sektori Antiterror vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, edhe pse deri në këto momente, nuk ka asnjë komunikim zyrtar për mediat apo publikun. Objekti konsiderohet si ndërtim i paligjshëm, i cili është kryer pa marrë leje në instancat përkatëse.