Nga Senad NIKSHIQI
Kanë pirë gjithë natën bashkë, por në fund e kanë mbyllur me një sherr dhe përdorim armësh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vukël të Malë- sisë së Madhe. Vasel Vuçinaj, kryetar i Partisë Socialiste për njësinë Kelmend, ka qëlluar me armë zjarri ndaj Mark Cekajt, 51 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes i plagosuri është transportuar drejt spitalit rajonal për të marrë ndihmën e parë mjekësore nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se grupi i shokëve ishte mbledhur në shtëpinë e njërit prej tyre në fshatin Vukël të Malësisë së Madhe për të darkuar së bashku.
Por gjatë darkës, gradualisht kanë nisur që të konsumojnë alkool deri në orët e para të së dielës. Orët kanë kaluar dalëngadalë, ndërsa grupi i shokëve është shtruar në biseda të ndryshme.
Teksa po zbardhej, në orët e para të mëngjesit grupi i shokëve ka konsumuar mjaftueshëm alkool duke mos qenë në gjendje normale dhe duke qenë nën ndikimin e alkoolit. Në këtë mënyrë, të alkoolizuar dhe pavetëdije, Vasel Vuçinaj dhe Mark Cekaj kanë nisur të debatojnë në bisedë e sipër.
Debati i tyre ka shkuar më tej duke u kthyer në një konflikt. Kaq është dashur dhe kreu i degës së PS-së është larguar nga vendi ku ishin mbledhur për të marrë një armë të llojit automatik dhe më pas ka shkuar në banesën e shokut të tij dhe ka qëlluar me breshëri plumbash.
Për pasojë, 51-vjeçari ka mbetur i plagosur me plumb në shpatull. Pas të shtënave, banorë të zonës kanë njoftuar Policinë për çfarë ka ndodhur dhe po ashtu ambulancën. Menjëherë është bërë i mundur transportimi drejt Spitalit të Shkodrës, ku i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pak pas ngjarjes forcat e Policisë, në një hark të shkurtër kohor të shpejtë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë arritur që të neutralizojnë autorin e plagosjes, Vasel Vuçinajn, që prej kohësh mban postin e kryetarit të PS-së të njësisë Kelmend në Bashkinë Malësi e Madhe.
Policia ka arrestuar autorin e plagosjes duke e dërguar në Komisariatin e Policisë të Malësi së Madhe. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Vasel Vuçinaj ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së shtetasit Mark Cekaj, 51 vjeç, banues në Vukël, i cili ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.
Pas një pune të mirëorganizuar të forcave policore të ndodhura në vendngjarje, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje së bashku me armën e krimit, konkretisht: Vasel Vuçinaj, 49 vjeç, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik si dhe në vendngjarje nga këqyrja u sekuestruan 12 gëzhoja”, bëhet e ditur nga Policia, duke shtuar se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.