“Pushka me dylbi” e markës italiane “Sabatti” që u përdor në pritën ndaj bisnesmenit Kastriot Reçi pak ditë më parë në Rrëshen, është e vjedhur. Ajo është vjedhur në shtëpinë e një shtetasi nga Rahoveci në Kosovë.
Ky informacion është konfirmuar për Policinë e Shtetit nga homologët kosovarë, të cilët kanë saktësuar se vjedhja e snaiperit është denoncuar disa ditë përpara se të kryhej ek.zekutimi mafioz i 47 vjeçarit Reçi.
Mësohet se poseduesi i “pushkës me dylbi” që përdorej për gjueti, ishte i pajisur me lejen përkatëse për përdorimin për pasionin e tij. Edhe vetë kompania italiane që e ka prodhuar këtë, e reklamon pikërisht atë si një pushkë të sofistikuar gjahu, duke e shitur atë në vende ku lejohet.
Pushka me dylbi dhe silenciator është e çmontueshme në tre pjesë dhe mund të qëllojë në një largësi 200 metra. Fakti që vjen nga Kosova është një element i ri edhe për hetimet, ndoshta edhe një pistë e re se nga mund të ketë ardhur autori i ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm Rreshenin për nga mënyra se si u realizua atentati.