Pas dhunes se ushtruar ne ndeshjen Tirana- Vllaznia nje dite me pare, ka ardhur reagimi i klubit kuqeblu në Facebook: “Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia njofton të gjithë opinion public dhe sportdashës se dënon me forcë të gjitha aktet e dhunshme të ndodhura ditën e shtunë, 25 Nëntor 2023, në ndeshjen Tirana-Vllaznia, të luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” në Tiranë.
Duke qenë të vendosur për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga zbatimi I rregullores së aktivitetit dhe Kodit të Disiplinës Sportive, kemi përmbushur detyrimin për të raportuar pranë organeve kompetente të FSHF-së duke evidentuar me fakte dhe argument dështimin e plotë të organizatorëve të kësaj ndeshje për organizimin e saj sipas rregullave të përcaktuara qartë.
Lojtaret e KFF Vllaznia dhe zyrtarët e saj të ndodhur në kushtet e mbrojtjes ekstreme dhe pa prezencën e forcave të rendit të cilat janë informuar nga trajneri I KFF Vllaznia, përballuan me dinjitet sulmin e paprecedent të organizatorëve të këtij takimi nëpërmjet personave civilë të future nga katër anët e fushës!|!!
Dëshirojmë të njoftojmë të gjithë opinion publik se lojtaret dhe zyrtarët e KFF Vllaznia kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore në urgjencën e Spitalit dhe gjendja e tyre shëndetësore tashmë paraqitet e stabilizuar.
Nga ana tjetër organizatorët e këtij takimi përtej detyrimit të shprehur qartë në rregulloret e aktivitetit për organizatorët e këtij takimi që të “garantojnë sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, lojtarëve dhe zyrtarëve t ë ekipit mik gjatë qëndrimit të tyre;” reagimi I menjehershëm mediatik I fajtorëve të zënë në faj nuk I shërben distancimit nga sjelljet e dhunshme të ndodhura ndaj miqve në shtëpinë e tyre!
Në mbyllje të kësaj deklarate, KFF Vllaznia është në kontakt të vazhdueshëm dhe po bashkëpunon ngushtësisht me organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, me besimin e plotë në zbardhjen e kësaj ngjarje të turpshme për futbollin shqiptar duke kontribuar në ndëshkimin e personave përgjegjës dhe parandalimiin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen!”.
Edhe drejtoresha sportive e klubit të Tiranës, Edonisa Aliu ka reaguar pas ngjarjes së turpshme që ndodhi ditën e djeshme gjatë ndeshjes Tirana-Vllaznia për femra: “Jam ende e tronditur nga gjithçka drithëruese që përjetuam ne si skuadër dhe përjetova unë personalisht. Dua të sqaroj se Klubi i Futbollit Tirana Femra u dhunua nga meshkuj të cilët duan të përçajnë fuqinë e vajzave dhe grave të bashkuara pavaresisht se cilin klub përfaqësojnë ato.
Ne u dhunuam padrejtësisht, e madje krejt papritur, dhe po ne ditëm të vetëmbrohemi, e këtë nuk do ta mohoj! Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim se si na godasin edhe për këtë nuk krenohem!
Është instikti njerëzor për vetëmbrojtje sa herë që të drejtat tona cënohen, aq më tepër në një datë të shënuar, që përkonte me ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
I bëj thirrje kolegeve tona të cilat mund të ishin edhe motrat, kushërirat, apo siç janë edhe shoqet tona, të mos mbrojnë dhunuesit që shtyn në degradimin e kësaj situate duke na detyruar të vetëmbrohemi në mënyra primitive për të shpëtuar jetët tona!
E vetmja e vërtetë është se dje, ne si klub, me të gjithë faktorët tonë u sulmuam në mënyrë të beftë! Jam falënderuese per familjen bardh’e blu, në të cilën ne jemi pjesë sepse dje më shumë se kurrë, ne nuk e kemi lënë njëri-tjetrin në baltë. Në të njëjtën kohë, jam po aq e pikëlluar edhe e shokuar, përtej lëndimit fizik, sesi dhuna ndaj grave dhe vajzave, nuk na gjen të bashkuara!
Nëse dje do të shihja një vajzë apo një grua, të cilës do t’i goditej koka në mënyrë të përsëritur edhe eksplicite siç më ndodhi mua, ju garantoj se do ta mbroja me trupin tim pavaresisht se cilit kamp i përkiste.
Dua t’i kërkoj të gjithëve që të mos gjykojnë nga pamjet që po serviren ne rrjet, sepse janë foto të cilat serviren për interesa të ndryshme! Pamjet e plota dhe të gjitha provat, ndodhen në polici dhe janë organet kompetente, ato që do të gjykojnë gjithçka dhe do të japin vendimet që duhet të jepen. Unë besoj dhe shpresoj që drejtësia të shkojë në vend dhe këta persona që po na përçajnë, dhunojnë, e shkatërrojnë futbollin, të vihen para drejtësisë.
Dje e kisha të pamundur të reagoja sepse isha e tronditur jashtëzakonisht shumë dhe nuk doja të bëja deklarata ndoshta të nxituara, por sot, me qetësinë më të madhe po mundohem të sqaroj gjithçka ndodhi. Dua të falënderoj edhe të gjithë ata që u interesuan për gjendjen time shëndetësore dhe ju kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të përgjigjem.”.