Dy policë malazezë janë vënë në pranga për dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo në pikën kufitare të Malit të Zi, në doganën e Muriqanit. Ata janë identifikuar si Nikolla Boljeviç dhe Dragan Shqekiç, të cilët më 15 janar 2023 e nxorrën nga makina me forcë Milon dhe e dhunuan në sy të familjes.
Arrestimi i tyre erdhi pas reagimit të kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç i cili u shpreh se janë marrë masat që në momentin e publikimit të videos nga mediat dhe se efektivët e policisë duhet të ndëshkohen në mënyrë të menjëhershme pasi kanë kaluar kompetencat e tyre.
Por përveç masave që duhen marrë për efektivët, Abazoviç tha se ka edhe një anë tjetër të medaljes, që sipas tij Petraq Milo nuk ka respektuar radhën.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviç.
Video e dhunimit të Petraq Milos u publikua nga mediat një muaj më parë, teksa shihet sesi efektivët dhunojnë atë dhe familjen e tij, madje i nxjerrin edhe jashtë makinës. Vetë Petraq Milo, apo Partia e Lirisë dhe autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar për videon e publikuar.