Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në një familje shqiptare në Greqi. Mediet fqinje raportojnë se banesa e familjes shqiptare është përfshirë nga flakët, ku fatkeqësisht ka humbur jetën njëri prej tre fëmijëve.
Mësohet se është nxjerrë i pajetë nga banesa djali i madh i familjes, një 16-vjeçar. Siç shkruan “Protothema”, në momentin që shtëpia është përfshirë nga flakët brenda saj ndodheshin të tre fëmijët, të moshave 16, 13 dhe 6-vjeçare.
Prindërit nuk ishin në banesë në orën 11 të paradites së të martës, pasi sipas mediave greke, babai i fëmijëve ishte në punë dhe nëna e tyre ishte nisur të hënën drejt Shqipërisë. Për këtë shkak, tezja e fëmijëve po kujdesej për ta, por kur ra zjarri, për të cilin ende nuk dihet shkaku, ajo nuk ndodhej në shtëpi.
Ishte telefonata e mbesës së saj 13-vjeçare, e cila e njoftoi dhe me të mbërritur në banesën e përfshirë nga flakët, u fut brenda të shpëtonte fëmijët. Gruaja pësoi djegie të rënda, ndërsa arriti të nxirrte gjallë nipin dhe mbesën, por nuk pati mundësi të shpëtonte 16-vjeçarin, i cili kishte dhe probleme me lëvizjen.
Hetimet kanë nisur për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, por sipas informacionit paraprak, 16-vjeçari mund të ketë provuar të ndezë një pajisje elektrike me qëllim që të ngrohej, kur në rrethana të panjohura, një zjarr shpërtheu në dhomën e tij.