Nga fjalimi famëkeq i diktatorit komunist, mbajtur më 6 shkurt 1967, nisi etapa më tragjike e popullit shqiptar, lufta kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, që shkaktoi persekutimin e tmerrshëm kundër klerit e komuniteteve fetare.
Në realitet, diktatori e komunizmi nuk e duronin dijen dhe besimin e njerëzve në Zot, kishin një frikë të tmerrshme nga inteligjenca dhe forca shpirtërore e njerëzve e posaçërisht të atyre personaliteteve që ishin më të ngritur, më largpamës, më guximtar e më atdhedashës se ata.
Udha e mënyra e vetme për t’u liruar nga këta njerëz të ngritur, të ditur, të urtë, atdhetarë të vërtetë që përhapnin dritën e përparimit të vëllazërimit tek populli besimtar, ishte vrasja dhe persekutimi deri në internime e zhdukje fizike.
Numri i saktë i klerikëve katolikë, myslimanë e ortodoksë, të vrarë ose të vdekur nëpër qendra paraburgimi dhe torture, burgje e kampe pune, nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.
Komunizmi ateist edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, me mungesën e respektin për personin, për lirinë e individit, futi një frymë që nuk ishte e traditës kombëtare shqiptare.
Por pas 23 viteve besimi në Zot, u rikthye në Shqipëri. Ai rikthehet gjithnjë e gjithkund, e më shumë se kudo, pikërisht atje, ku e mohojnë dhe e kryqëzojnë. E dëshmon historia e vendit të vetëm ateist në botë. /Publikuar në Facebook nga Emilia KOLIQI, deputete e PD Shkodër/