Sot një i ri 29 vjeçar i dha fund jetës. Mjekohej në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” prej katër ditësh për Covid-19. Mjekët thonë se nuk kishte probleme shendetësore dhe shpejt do të dilte nga pavioni. Por ai zgjodhi ti japë fund jetës, duke u hedhur nga ballkoni i katit të tretë të spitalit. Ka shfrytëzuar një moment, kur infermierja që po e mjekonte, ka dalë nga dhoma për të marrë një medikament. Kur është kthyer, i riu nuk gjendej në dhomë. Kishte nisur “udhëtimin” pa kthim…
Hipotezat janë nga më të ndryshmet. Ajo që është e sigurtë, shkak këtë herë nuk ishte Covid-19 për ti marrë jetën. Siç pohojnë mjekët, ai nuk rrezikonte jetën nga virusi i rrezikshëm. Sipas gjasave, nuk është ndjerë as i braktisur nga familja e të afërmit, të cilët kanë patur mundësinë t’ia plotësojnë kushtet e domosdoshme në spital.
Në këto kushte, pyetja më normale që bëhet është: Pse zgjodhi ti japë fund jetës i riu 29 vjeçar?
Në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike apo emocionale, mund të jetë një përgjigje. Po si është krijuar kjo situatë rrotull tij, ndërsa po përmirësohej shëndeti dhe për pak mund të linte pavijonin? Ajo që të vjen në mendje, nëse ka patur gjendje të rënduar psikologjike apo emocionale, ajo nuk lidhej direkt me të, me 29 vjeçarin dhe shëndetin e tij për shkak të Covid-19. Arsyet besojmë se i shpjeguam më lart.
Përgjigja mbase duhet kërkuar tek ajo që ka parë dhe ka dëgjuar gjatë katër ditëve në spital. Sepse tashmë është e qartë, çdo gjë është hermetike. Nuk ka informacion se çfarë ndodh, çfarë bëhet. Edhe ato pak foto apo pamje të dala, kanë kaluar fillimisht në filtrin e Ministrisë apo Qeverisë. Ka mijëra vetë që janë shëruar, kanë dalë nga spitalet Covid. A keni dëgjuar deri tani ndonjërin të flasë me dataje se çfarë ka ndodhur aty brenda, si janë kushtet, si trajtohen, problematikat etj.? Deri tani, asnjë. Thjeshtë flitet për heronj, mjekë e infermierë që luftojnë me virusin. Vetëm kaq. Asgjë më shumë. Pse të sëmurëve nuk u lejohen as celularë për të komunikuar me të afërmit jashtë spitalit? A janë spitale për të shëruar njerëz apo kampe përqendrimi e laboratorë “kaviesh” njerëzore?
A e konstatoni se kohët e fundit, me shtimin e rasteve pozitive por edhe numrit të jetëve të humbura, përherë e më shumë po bëhet thirrje që të mos kërkoni shërim- shpëtim brenda spitaleve? A ka një arsye? Pse po shihen me kaq frikë spitalet anti-Covid në këtë vend? Pse janë gati- gati misterioze dhe nuk ka asnjë informacion alternativ, përveç atij të kontrolluar nga Ministria apo Qeveria? Kujt i sherben mungesa totale e transparencës për atë që realisht ndodh në këto spitale? Çfarë e pengon Ministrinë të organizojë një grup gazetarësh, qoftë edhe pa kamera, të futen në masa të rrepta sigurie shendetësore në këto mjedise? Ashtu siç ka hyrë e vazhdon ta bëjë edhe vetë ministrja e Shendetësisë?
Deri në Shkodër ka mbërritur “legjenda urbane” se për çdo person të deklaruar pozitiv me virus, jepen 300 euro dhe se për çdo jetë të humbur nga Covid-19 jepen 18 mijë euro nga BE. A nuk do të ishte mirë që vetë Ministria të bënte çdo përpjekje për ti shuar këto “legjenda urbane”? Nëse janë thjeshtë të tilla, kuptohet.
Rasti më i fundit tragjik i 29 vjeçarit, shton më shumë detyrimin e Ministrisë për të bërë transparencë mbi atë që ndodh brenda spitaleve anti-Covid në vend. Madje në mënyrë urgjente. Ashtu siç edhe organet e specializuara, duhet të bëjnë transparencë për rastin e të riut. Nëse do të mund të bëjnë hetim, edhe brenda mjediseve të sanatoriumit “Shefqet Ndroqi”. Përndryshe, mund të hapen 10 spitale anti-Covid, por sipas gjasave do të kenë përherë e më pak pacientë brenda tyre. Njerëzit po futen gradualisht në dilemën e madhe: Të kenë më frikë virusin apo spitalin ku duhet të shtrohen për të shpëtuar nga virusi! /Nga Blerti DELIJA/