Dibra është rajoni më i varfër i Shqipërisë dhe është kthyer në një nga eksportueset më të mëdha të emigracionit ilegal drejt Britanisë së Madhe. Të rinj dhe të reja që udhëtojnë me gomone për tu arratisur nga papunësia, ndërkohë që administrata lokale është zaptuar nga rrjeti farefisnor i Ulsi Manjës.
Kështu që nga vëllezërit, kunatat, nipërit, bashkëshortet e nipërve e deri tek dhëndurët e mbesave të Ulsi Manjës rezultojnë se marrin një rrogë të mirë në shtet, kryesisht si drejtorë, ose në poste të rëndësishme në institucione publike. News24 ka verifikuar emërimet që kur Ulsi Manja është zgjedhur deputet, dhe rezulton se bashkëshortja e ministrit të drejtësisë është emëruar në si ekonomiste në Albgaz sha. Vëllai Hasan Manja është drejtor i shëndetit publik në Dibër.
Në të njëjtën drejtori punon edhe bashkëshortja e tij, Roza Manja. Vëllai tjetër Fari Manja i punësuar tek OSHE Dibër, nipi Klodian Manja te Drejtoria e Pyjores në Dibër, kurse bashkëshortja e Klodianit punon te spitali i Dibrës.
Shaziman Manja, vëllai tjetër i ministrit të drejtësisë është punësuar drejtor i Trajtimit të Studentëve tek Teknologjiku, ndërsa kunata e ministrit të drejtësisë, është emëruar nëndrejtore shkolle në Laprakë. Lista vazhdon me nipërit e Ulsi Manjës të cilët janë shpërndarë nëpër institucionet shtetërore aviacionin civil, kthimi i pronave, inspektorati i ndërtimit etj.
Mediat britanike kanë renditur si shkak kryesor të emigrimit masiv, mungesën e shtetit ligjor dhe ndjenjën se vendi po drejtohet nga një kastë e korruptuar, mungesën e shpresës për perspektivat e ndryshimit, dhe narko-ekonominë.
Mënyra e qeverisjes, arroganca, pabarazia, korrupsioni, mungesa e kontrollit të shtetit ligjor, mungesa e garancive për zhvillimin e biznesit dhe investimet e huaja në vend, të gjitha kanë rritur depresionin në shoqëri, duke çuar në shpopullimin masiv të zonave malore më veçanti. Por ky depresion duket se nuk ka prekur farefisin e Ulsi Manjës, i cili sot i gëzohet të rrogës së sigurt në shtet, ndërkohë korrupsioni që duhet të luftojë ministri i drejtësisë, është në themel të arratisjes nga vendi të dibranëve dhe shqiptarëve në vitin 2022. /BW/