Duke publikuar një foto me ish- drejtori e përgjithshëm të RTSH- së Thoma Gëllçi, drejtori i Transmetimeve Lokale në këtë institucion Jetmir Shpuza, foli për përdorim të metodave të Sigurimit të Shtetit. Nuk ka vonuar dhe tashmë zëvendësdrejtori i përgjithshëm në detyrë i RTSH- së, ka dërguar propozimin për “shkurtim i vendit të punës” për “Drejtor i Transmetimeve Lokale”, ku aktualisht është i emëruar Shpuza.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Jetmir Shpuza, ish- gazetar i njohur i “Koha Jonë” e jo vetëm, duke publikuar edhe një pjesë të materialit që i është dërguar KD të RTSH- së. Por pavarësisht propozimit, i cili nëse miratohet e nxjerr të papunë Shpuzën, ky i fundit shprehet se beson në integritetin e pjesës dërrmuese të Këshillit Drejtues të RTSH- së. Shpuza shkruan në një publikim në Facebook:
“Propozimi i shumëpritur erdhi. “Të shkurtohet vendi i punës me emërtesën ‘Drejtor i transmetimeve lokale'”, thuhet në propozimin për ndryshime në strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së që zv.drejtori i përgjithshëm i ka dërguar Këshillit Drejtues të RTSH-së. Duke shkelur me të dyja këmbët Statutin e RTSH-së miratuar nga parlamenti, konkretisht Kreun 3, Neni 8, pika 2 (për rastin e pozicionit tim) dhe duke thyer çdo etikë, pasi një zëvendësdrejtor në tranzicion nuk është e udhës të bëjë ndryshime strukturore.
Po sikur drejtori që do vijë me mandat 5 vjeçar të kërkojë t’i prapësojë këto ndryshime e të bëjë të tjera?!! Unë e kisha paralajmëruar në një status para një jave, por e gjitha po vjen me “shkurtimin e vendit të punës”, pra nuk e paskan patur me mua, por me vendin (eh ai vend i poshtër!). Megjithatë besoj në integritetin e pjesës dërrmuese të Këshillit Drejtues,se nuk do ta votojë këtë paligjshmëri. Kurse ju që bëni plane “shkurtimesh” po ju përshëndes me shprehjen e dalëboje të atij që porositi foton te Rogneri: Respekte😎!”, përfundon Jetmir Shpuza shënimin e tij në Facebook.
Tani mbetet për t’u parë nëse Këshilli Drejtues i RTSH- së do të miratojë propozimin e zëvendësdrejtorit në detyrë apo do të lërë në fuqi strukturën aktuale, deri në emërimin e një drejtori të përgjithshëm të ri me mandat 5 vjeçar. Në fakt, si do të ishte edhe më e arsyeshme e logjike. /ShkodraWeb/