Të dashur banorë të bashkisë Shkodër,
Dita e hënë shënon një hap të ri në funksionimin dhe angazhimin e të gjitha strukturave të bashkisë Shkodër me vizionin që banorët duan, bashkinë në punë!
Nga dita e nesërme, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 29.12.2023, hyn në fuqi struktura e re e bashkisë Shkodër e përqëndruar te shërbimi, si kryefjalë e funksionit dhe miradministrimit të bashkisë Shkodër.
Struktura e bashkisë, veçanërisht në institucionet e varësisë, kishte shumë pozicione të dubluara dhe specialistë që vetëm kishin emrin në borderotë e rrogave, por nuk ofronin asnjë shërbim për banorët e Shkodrës.
LEXONI EDHE: “Shkodranët nuk kanë parë asgjë akoma”, miratimi i strukturës së re të Bashkisë Shkodër, reagon Bardh Spahia
Sigurisht nuk është e lehtë të shkurtosh vende pune. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Por nuk mund të vazhdohet më të paguhen me rrogë njerëz që nuk japin asnjë kontribut në zhvillimin e bashkisë sonë. Qytetarët e Shkodrës nuk e kanë luksin të mbajnë me taksa nga të ardhurat e tyre të fituara me punë e sakrifica asnjë punonjës të tepërt në organikën e bashkisë.
Prej më shumë se dy muajsh administrata e bashkisë Shkodër është në një proces riorganizimi. Të gjitha drejtoritë e bashkisë Shkodër kanë analizuar me shumë përgjegjshmëri performancën dhe produktivitetin e punonjësve të varësisë dhe ekipeve që u shërbejnë qytetarëve, duke përzgjedhur ata që shërbejnë me profesionalizëm, ndershmëri, përkushtim dhe dëshirë për punë të mira për Shkodrën.
Për administratën e bashkisë Shkodër nga e hëna fillon një epokë e re, në të cilën puna e motivimi për t’u shërbyer qytetarëve është dhe do të jetë kriteri i vetëm i vlerësimit. /Publikuar në Facebook nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci/