“Mjekët të mos largohen nga Shqipëria, të mos mendojnë vetëm për para. Nëse largohen mjekët më të mira nga Shqipëria për të shkuar në vende të tjera, kush mbeti për të na kuruar neve, për t’ju kuruar juve. Nuk është e drejtë.”
Është kjo thirrja që iu drejtoi mjekëve Imzot Angelo Massafra gjatë meshës së shenjtë në katedralen “Shen Shtjefni” në Shkodër në ditën botërore të të semurëve.
Largimet masive të mjekëve drejt vendeve europiane, për një jetë dhe paga më të mira, ka alarmuar dhe klerin katolik. I shqetësuar për fatin e të sëmurëve, Imzot Massafra iu bëri apel mjekëve të tregohen pak më humanë dhe te mos mendojne vetem per para.
“Njeriu duhet të jetë më human. Në spitalet tona duhet të kemi më shumë zemër. U bëj thirrje mjekëve të mos largohen nga Shqipëria, të mos mendojnë vetëm për para.
Nëse ata largohen në vendet e tjera, kush mbetet këtu për të dhënë shërbimin e merituar, nuk është e drejtë. Kemi festuar vitin e Skenderbeut, ai ka luftuar deri në vdekje. E sot ne çfarë bëjmë, zgjedhim të ikim në vende të tjera për të qenë më rehat. Duhet të duam më shumë vendin tonë, njerëzit tonë, që të japim kontributin e duhur. Nuk është e drejtë, nuk është mire që të gjithë të lajmë duart, e ata që vuajnë çfarë të bëjnë?”, u shpreh ai.
Aktualisht në spitalin rajonal të Shkodrës nevoja për mjekë specialiste është e madhë pasi shumë janë larguar drejt shtetëve të ndryshme për shkak të kushteve më të mira dhe pagave me të larta.