Fatmir Lishi, është nga ata qytetarë të Shkodrës, që nuk do të harrohen lehtë. Pavarësisht se nuk mbante asnjë post publik, ishte ndër më të respektuarit dhe të mirënjohurit nga të gjitha kategoritë dhe shtresat sociale të Shkodrës, Veriut e më përtej.
Rreth 10 muaj më parë, krejt papritur, pas disa komplikacioneve shendetësore, ai do të ndahej nga jeta në ditët e fundit të marsit. Pikëllimi ishte i madh e i thellë për familjen e tij të ngushtë, të afërmit por edhe miqtë e shokët e shumtë, madje edhe tek ata që pinë një kafe të vetme me të.
68- vjetori i lindjes së tij, i cili është pikërisht sot, do të ishte një ditë feste për familjet por edhe më gjërë, sepse kështu e konceptonte jetën e tij Fatmir Lishi. E sot, në këtë mungesë fizike, e kujton me disa rreshta dhe fotografi bashkëshortja por edhe bashkëpunëtorja më e afërt, Sabaheti, e cila sjell në vëmendje ditëlindjen e fundit të festuar së bashku.
“Sot me 13 janar do festonim ditën e lindjes tënde, i miri jonë Fatmir. Po ja që jeta na hidhëroi me ikjen tënde të papritur… Edhe pse fizikisht nuk je, shpirteërisht je në çdo kohë e moment me ne i miri Fatmir.
Nji vit më parë po e festonim atje tek Princesha jote, siç i thoje ti gjithmonë… Sa shumë dashuri, lumturi, surpriza, urime atë ditë, kënaqësi pa fund, se ishe i rrethuar me dashuri nga vajza, dhëndri, mbesat e shumë e shumë miq që i bëre për vete atje…
Çdokush që të njohu sadopak, ruan kujtime të gjalla të tuajat, pasi kishe veti tejet të veçanta ofruese dhe ndërsa të shohim në këto foto, na duket sikur po na takon, po na flet, me buzën në gaz, ashtu siç dije vetem ti i miri jonë…
Njerëzit për të cilët të tjerët ruajnë shuuuumë kujtime, nuk vdesin kurrë sikur ti i miri jonë Fatmir…”, shkruan në rrjetet sociale bashkëshortja Sabahet Lishi, ndërsa janë të shumta reagimet e familjarëve, miqve e kolegëve të të ndjerit.
Fatmir Lishi lindi më 13 janar 1956 në Shkodër, në një prej familjeve më të njohura dhe të respektuara të këtij qyteti.
Pasi përfundoi në vitin 1974 Shkollën e Mesme Teknologjike në qytetin e lindjes, ai punoi si teknolog për dy vite në Ndërmarrjen Ushqimore Shkodër. Ndërsa në 4-vjeçarin 1978-1982 ishte edhe drejtues i saj.
Në vitet 1976-1978 ai do të përfundonte edhe Shkollën e Oficerëve në Zall Herr, Tiranë.
Më pas, në vitet 1982-1985 Fatmir Lishi do të punonte edhe në Hidrocentralin e Komanit.
Pas viteve ‘90, Lishi do të përfundonte studimet e larta në degën “Histori – Gjeografi”, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ndërsa do të niste edhe bashkëpunimin me disa kompani italiane dhe austriake.
Prej tetorit 1999 do ti bashkohej kompanisë SIGAL, e themeluar vetëm pak muaj më parë dhe që do e përfaqësonte denjësisht për 24 vjet si drejtues i saj në rajonin e Shkodrës.
Gjatë 24 viteve, ai do të linte shenjë në tregun e sigurimeve në rajonin më të madh në veri të vendit si një drejtues i përkushtuar dhe me kontribut të madh në këtë sektor. Ndërsa dinte të ishte edhe pranë kërkesave dhe nevojave të mijëra qytetarëve dhe bizneseve në këtë zonë.
Po ashtu, Fatmir Lishi ka qenë edhe ndër nismëtarët dhe antarët më aktivë të Rotary Club Shkodra, president nderi, organizator dhe pjesëmarrës i dhjetra aktiviteteve të organizuara. /ShkodraWeb/