Lutfi Xhaferri, i cili jeton i vetëm në katin e dytë të një pallati në qytetin e Vlorës, pret dita-ditës ndonjë lajm për fatin e të birit të zhdukur. Ai bën apel që Policia të intensifikojë hetimin për të mësuar për fatin e djalit të tij, Albanos. Ai është marrë në pyetje edhe në Policinë e Vlorës, por ka ngritur supet nëse i biri ka pasur konflikte të hapura. Albano jetonte në Belgjikë dhe kishte ardhur të shihte fëmijët e tij, të cilët jetonin me të ëmën. Siç shprehet babai i tij, ai ka dalë nga banesa pas një telefonate më datën 18 qershor dhe prej më shumë se dy muajsh nuk kanë asnjë informacion për fatin e tij.
Z. Xhaferri, kur dhe në çfarë rrethanash është larguar djali juaj nga banesa?
Gjithçka ka ndodhur në datë 18 qershor. Djali kishte lënë fëmijën e tij këtu tek unë, pasi ai jeton në një tjetër banesë me familjen e tij, gruan e dy fëmijët. Atë ditë erdhi që të merrte fëmijën dhe u largua për në shtëpinë e tij. Më pas mësuam se dikush e kishte kontaktuar nëpërmjet telefonit dhe Albano kishte dalë për t’u takuar me këtë person, që e priste poshtë banesës së tij. Ata janë larguar së bashku. Prej asaj dite ne nuk kemi më asnjë kontakt me të. Data, siç e thashë, ka qenë 18 qershor, rreth orës 10:30.
Albano jetonte në Shqipëri apo jashtë vendit?
Jo nuk jetonte këtu, kishte rreth një muaj që kishte ardhur nga Belgjika. Kur e pyeta pse kishte ardhur, më tha se e kishte marrë malli për fëmijët e tij që i kishte këtu. E pyeta nëse kishte ndonjë problem dhe më tha “jo, nuk kam asnjë problem tjetër, thjesht erdha se më kishte marrë malli për fëmijët”.
Ju keni dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në Belgjikë?
Jo, nuk jam në dijeni se mund të kishte diçka në Belgjikë ku jetonte prej kohësh. Nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë tjetër çfarë mund të kishte andej…
Albano Xhaferri
Me kë ka ardhur djali në Shqipëri?
Kam mësuar se ka ardhur me një djalë tjetër. Nga sa kam mësuar, edhe ky djali është zhdukur rreth 20 ditë apo një muaj më vonë së Albano. Erdhi edhe i ati i tij në familje dhe më pyeti. Por nuk dija ndonjë gjë dhe nuk e njihja djalin e tij, apo dhe vetë babain e tij që më erdhi në shtëpi.
Ju kur e bëtë denoncimin në Polici?
Denoncimin e bëri në Policinë e Vlorës gruaja e tij dhe djali tjetër imi, rreth tetë ditë më vonë nga largimi. Jemi interesuar deri më tani edhe në Polici, por edhe në Prokurori dhe na kanë thënë që çështja është në hetim. Por nuk na dhënë ndonjë tjetër detaj. Thjesht që po hetohet.
A keni ju dijeni se me kë është larguar djali atë ditë?
Nuk e di, por kur pyetëm në Polici dhe në Prokurori, na thanë se e kanë shpallur në kërkim atë personin që e ka marrë djalin tim te shtëpia. Them se e dinë se kush është dhe ndoshta e mësojmë se përse ka ndodhur ngjarja. Të dimë se çfarë ka ndodhur. Shpresojmë për më të mirën. Bëjmë më shumë se dy muaj që presim./panorama/