Babai i Lorenzo Pjetrushit, 18 vjeçarit shqiptar që humbi jetën më 29 janar, tha se djali i tij nuk ka qenë duke bërë video për rrjetin social ‘Tik-Tok’ në momentin që ka ndodhur aksidenti tragjik që i mori jetën.
Duke folur për mediat italiane, Agron Pjetrushi ka thënë se Lorenzon e ka çuar vetë ai në ditëlindjen e kushëririt të tij por theksoi se nuk kishte pasur informacion mbi çfarë kishte ndodhur më vonë.
“Lorenzo ishte shumë i mirë, si shumë të rinj të moshës së tij. Atij i pëlqente të luante dhe të jetonte jetën. Atë mbrëmje të së shtunës e kisha çuar në një festë ditëlindjeje në Cimadolmo, me miqtë, e cila u mbajt rreth orës 22. Më pas nuk e di se çfarë ndodhi. Ndoshta më pas ka dalë me kushëririn tjetër të tretë, po nga Ormelle, një italian me origjinë shqiptare”- tha i ati i të riut që humbi jetën.
Prej datës 20 janar, i riu shqiptar ishte në gjendje të rëndë pas aksidentit tragjik ku teksa tentonte të rrinte në këmbë mbi makinën që drejtohej nga kushëriri i tij u rrëzua dhe u përplas nga i njëjti automjet.
Babai i Lorenzos, me origjinë nga Rranxat e Bushatit, tha se gjatë këtyre 8 ditëve, familjarët nuk kanë fjetur me shpresën se i riu do ta fitonte betejën për t’ju rikthyer jetës. Sipas tij, të rinjtë nuk kanë qenë duke bërë video në momentin kur ndodhi aksidentin duke sqaruar se në momentin kur policia u ka sekuestruar telefonat, atyre nuk u janë gjetur pamje të tilla.
“Ne nuk kemi fjetur për tetë ditë. Ndoshta gjithçka ka ndodhur si shaka, një lojë që përfundoi keq. Në makinë ishin pesë prej tyre, në një Ford. E drejton kushëriri i tretë i djalit tim. Ai kishte vetëm dy muaj që kishte marrë patentën e drejtimit, s’kishte shumë përvojë. Por ata nuk po bënin video apo foto për t’i postuar në TikTok, siç është thënë. Se si ka ndodhur e di vetëm policia, pasi i ka dëgjuar djemtë dhe ka konfiskuar të gjithë celularët, por nuk ka gjetur foto apo video. Djali im nuk ka bërë kurrë video për TikTok”, shtoi ai.