Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Tiranën. Shkodranët luajnë nesër në 13:00 me bardheblutë në Shkodër, për ndeshjen që vlen për javën e 21 të Kategorisë Superiore.
Trajneri kroato-gjerman ka pranuar se në ndeshjet e fundit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, teksa nesër do hyjnë në fushë për t’i bërë edhe një dhuratë tifozëve, që kanë të drejtë të ëndërrojnë titullin kampion.
“Si po e përjeton skuadra ndeshjen e nesërme sepse fansat mezi e presin?
Po e presim mirë, jemi përgatitur. E dimë rëndësinë e saj dhe sesi shkodranët me zor e presin. Do hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Unë bazoj këtë vendosmëri në sjelljen e skuadrës, te lojtarët e mij. E dimë se në javët e fundit nuk kemi bërë atë që të gjithë kanë pritur. Kemi punuar mirë për të përgatitur ndeshjen e nesërme dhe kam parë ekipin gjatë javës.
Fansat kanë përgatitur surpriza, çfarë do i jepni pas? Ata janë më të mirët, e di që presin shumë nga ne. Le t’i bëjmë të ëndërrojnë, sepse njerëzit këtu identifikohen me këtë. Nesër është një ndeshje dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë me mundësitë që kemi. Jam duke ndërtuar diçka në Shkodër dhe më pëlqen që jam këtu.
Dëmtimet? Do flas për lojtarët që janë gati dhe sesi ta fitojmë këtë ndeshje. Dua që këta lojtarë të kenë ndjeshmëri për duelin”, tha Brdariç.