Kreu i PDK-së Nard Ndoka, i ftuar në Top News, bëri të ditur që do të jetë krah Sali Berishës në takimin e radhës në Shkodër, që do të mbahet ditën e nesërme në orën 18:00.
I pyetur nëse pritet që të ketë një numër të madh demokratësh që do ta presin ish-kryeministrin, Ndoka është shprehur se kjo tashmë është e ditur, pasi Berisha është një politikan që Shkodra e ka dashur ndër vite. Për më tepër, përveç Shkodrës, takimet me demokratët në qytetet e tjera dhe mbështetjen që ka patur Berisha, Ndoka e sheh si një lloj shprese.
Ndoka thekson se Berisha është një lider që i ka sjellë fitore PD-së, ndërsa shton se politika kërkon karakter, qëndrueshmëri, moral, gjë që sipas Ndokës, Basha i ka të deformuara.
“Shkodra është një bastion, është një zonë që e ka dashur Berishën ndër vite. Shkodra i kupton zhvillimet politike, nuk është një surprizë që do të ketë pritje të madhe në Shkodër, por ajo që unë shoh, është se gjatë takimeve në qytete të tjera, ka një lloj shprese. Kjo është karizma e një politikani. Është një politikan që i ka sjellë PD fitore, dhe këtë gjë nuk e ka sjellë Basha, por politika ka karakter, qëndrueshmëri, moral, por këto Basha i ka të deformuara. Ishte humbja e dytë parlamentare. Unë gjykoja se ai duhet të largohej nga detyra. Nuk e di se çfarë do të thotë ai për herë të tretë. Është një lider që s’u besua dy herë, nëse beson se për herë të tretë do të vazhdojë të bëjë të njëjtat premtime, do të jetë një dështim spektakolar”, ka thënë Ndoka.
I ftuar në Top News, Ndoka u shpreh se Basha tashmë ndihet i frikësuar nga askioni i Berishës, pasi e ka humbur autoritetin në PD dhe nuk ka të drejtë morale për të thirrur aletatët e tij. Ndër të tjera, Ndoka shton se Basha nuk arriti të operojë kurrë si lider i opozitës.
“Kjo i jep më shumë autoritet dhe moral. Unë e shoh më shumë si një mision që ka ndërmarrë zoti Berisha sesa egon e tij politike. Ka kohë që nuk jam takuar me zotin Basha, tani më duket ka më shumë frika nga zoti Berisha. Basha e ka humbur autoritetin e tij në PD, nuk ka të drejtën morale për të thirrur aleatët. Basha nuk arriti të operojë si një lidership i opozitës. Ka pas shumë defekte. Ne nuk përjashtohemi nga kjo, ia kemi thënë ballasi, kemi kërkuar që të jetë më i vendosur. Ne i kemi dhënë një lloj autoriteti, dhe kjo është e gabuar dhe falë kësaj nuk arriti të bëhej lider”, ka thënë ndër të tjera Nard Ndoka. /Syri.net/