Të Zotit jemi dhe tek Ai do kthehemi. Babi, nga t’ja filloj unë për ty… Kushdo që njeh Dorinën nga afër, di për lidhjen time me ëngjëllin apo bushin…
Do më duhet shumë kohë që t’i bëj ballë realitetit, por ne jemi kalimtarë të kësaj bote e të tilla sprova do t’i provojmë të gjithë, ama edhe në këtë dhimbje Zoti prapë fal nga bujaria dhe mëshira e Tij, duke n’a dhënë forcë mua, mamit dhe motrës time, për t’i qëndruar dhe më afër njëra-tjetrës.
I falenderohem Zotit të Gjithësisë që m’a dha mundësinë të të puthja ballin e të çmalleshim bashkë, përpara se të largoheshe…
I falenderohem Zotit të Gjithësisë për familjen e mrekullueshme dhe gjitha kujtimet më të bukra të jetës me ty, ëngjëll, kjo fjalë që m’ka buruar natyrshëm nga shpirti për ty dhe të thërrisja me krenari, që në vegjëli…
I falenderohem Atij që ëndrrën time më të madhe për të lumturuar prindërit e mi m’a realizoi, edhe pse fëmijët nuk shlyen kurrë ndaj prindërve të tyre.
Dashurinë dhe sakrificën tënde, portretin tënd fisnik, përqafimet tona, biçikletën e 12-viteve, udhëtimet tona, telefonatat e rëndësishme, përkushtimin dhe mbështetjen e pafund, mirëkuptimin dhe sigurinë në sytë e ne të dyve, buzëqeshjen sa herë më shihje, përkujdesjen si askush tjetër, këshillat e thjeshtësisë dhe mirënjohjes e krenarinë sa herë dëgjoje për mua, janë kaq shumë të gdhendura në lëkurën e zemrën time, sa s’harrohen kurrë.
Do jesh gjithmonë kudo me mua, në zemër, në Dua, në çdo hap dhe shikim timin. Qofsh i Xhehnetit babai dhe njeriu më i bukur që Zoti më ka dhuruar.
Familja ime dhe unë ju falenderojmë të gjithëve për përkrahjen në këtë kohë të vështirë. Zoti ju ruajtë! /Publikuar në Facebook nga Dorina GARUCI/