Ngjarja e rëndë e dhunës ku u përfshinë, Xhelal dhe Flamur Rraja, vëllezërit dhe Rexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ka shkundur dhe ‘themelet’ e Policisë së Krujës.
Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku qëndruan në një takim kokë më kokë për rreth 5 orë ditën e sotme.
Ndërkohë që gjatë takimit është vendosur që të këtë ndryshime rrënjësore për të gjithë linjën drejtuese të komisariatit të Krujës.
Komisariati i Krujës pritet ti nënshtrohet një hetimi, ndërkohë që paralajmërohen dhe masa ndaj drejtuesve të këtij institucioni të cilët kanë neglizhuar detyrën, fillimisht duke e fshehur si ngjarje dhe duke tentuar ta kalojnë si një sherr banal.
“Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftimin e Policisë.