Ju falenderoj përzemërsisht për besimin që treguat ndaj meje, duke më besuar me votën tuaj detyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër! Një falenderim të veçantë për familjen e madhe socialiste dhe kryeministrin z. Edi Rama që më besuan dhe më kandiduan për në këtë detyrë, të deleguarën politike ministren Spiropali, deputetët e qarkut Shkodër, kryetarët e bashkive të qarkut Shkodër, prefekten e qarkut Shkodër, familjen time, miqtë e mi që më kanë mbështetur në gjithë këtë rrugëtim politik!
Nga ky moment, unë ndihem shumë më i obliguar për të punuar me të gjitha energjitë, që të arrijmë më të mirën për të gjithë Qarkun e Shkodrës dhe qytetarët e tij, nga Velipoja e deri në Fushë Arrëz dhe nga Vau Dejës e deri në Malësi të Madhe!
Shkodra ka qenë, është dhe do të mbetet një emër i respektuar në të gjithë Shqipërinë dhe në të gjitha trevat shqiptare edhe përtej kufirit! Për një titullar apo të zgjedhur që përfaqëson Shkodrën, respekti për këtë emër është sa nderim e krenari aq edhe nxitje dhe përkushtim për të punuar, dhe në rastin konkret qarku i Shkodrës të eci me ato ritme të shpejta zhvillimi ekonomik e social që të kthehet në pikë referimi si model për qarqet e tjera. Ne i kemi mundësitë për këtë, duke punuar bashkërisht, pa dallime partiake por si të zgjedhur që na kanë besuar qyetarët vullnetin me votë për ta përmirësuar jetesën e tyre. Unë ju siguroj se në detyrën si Kryetar i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, i gjithë aktiviteti im do të mbështetet vetëm e vetëm në respektim të ligjit!
Po kështu edhe komunikimi ynë si institucion me organizmat e tjera, qofshin ato të zgjedhura apo të emëruara, qofshin vendore apo qendrore, do të ketë për bazë ligjshmërinë dhe partneritetin për tu shërbyer sa më mirë qytetarëve të qarkut Shkodër!
Sigurojmë 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës për angazhimin tonë maksimal si Këshill në drejtim të Qeverisë dhe të donatorëve vendas apo të huaj, për të siguruar sa më shumë investime në njësite vendore të gjithë territorit të këtij qarku. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin ndërajonal me njësitë e qeverisjes vendore të fqinjit tonë, Malit të Zi, për të vazhduar realizimin e projekteve të përbashkëta të programit IPA të Bashkimit Europian, që ka disa vite që ka filluar. Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka pasur dhe ka detyrime në këtë drejtim, ndaj do të jemi nxitës të bashkëpunimit sa më efektiv, që investimet e programuara nga IPA të konkretizohen sa më parë.
Edhe njëherë, duke ju falenderuar për besimin e treguar ndaj meje që më zgjodhët në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, ju garantoj se këtë vlerësim dhe përgjegjësi të madhe do ta justifikoj me punë dhe përkushtim maksimal, për më të mirën e përbashkët për të gjithë qytetarët e këtij qarku! Kam besim absolut që ndihma juaj nuk do të mungojë! Edhe njëherë me zemër faleminderit! /Nga Edmond NDOU, kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër, publikuar në Facebook/