Të dashur studente e studentë të UNISHK,
Kolege e kolegë,
Punonjës të administratës,
Fillojmë sot një rrugëtim të ri, 2024 – 2025, në njē kohë tjetër, që ka të tjera perspektiva, të tjera motivime, ky secili prej nesh e shikon ndoshta ndryshe tē përditshmen dhe të ardhmen.
Është koha kur zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ka mbërritur në zenit, ka përshpejtuar, për rrjedhojë, edhe ritmet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, si kurrë më parë, por edhe ka sfiduar jo pak njeriun dhe zhvillimin e kësaj shoqërie.
Por, është pikërisht misioni i universitetit tonë, Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ta lidhë studentin me sfidat e kohës tonë dhe ta aftësojë atë për të tejkaluar kufijtë e së mundshmes. Studentët kanë vetë në dorë t’u besojnë aftësive të tyre krijuese, duke qenë të vetëdijshëm për realitetin kompleks të kohës sonë.
Roli i UNISHK-ut, si një ndër institucionet e arsimit të lartë më me tradita në vend, me veprimtari të spikatura akademike e shkencore prej vitit 1957, na fton të luajmë një rol kyç në përgatitjen dhe kultivimin e njeriut, të qytetarit të mirë, si realitet kompleks, në afrimin e studentit me profesionin dhe përballjen me fuqinë tërheqëse të tregut të punës.
Le të mirëpresim sot edhe 898 studentët e rinj të ciklit të parë të studimeve (të tjerë do të bashkohen me ne gjatë Round-it III, 10 – 25 tetor), duke e kthyer universitetin tonë në universitas, pra në bashkësi a korporatë, ku mblidhet e kultivohet dija e ndërlikuar njerëzore.
Por, kjo nuk mund të ndodh pa studentin në qendër, kështu që ne, duke nisur nga ky vit akademik, do të ndryshojmë totalisht filozofinë e universitas, duke vēnë studentin në qendër për mësimdhënien, mēsimnxënien dhe vlerësimin.
Ky do të jetë vizioni evropian i UNISHK-ut, duke ndërtuar frymën e bashkësisë, promovimin e aftësive krijuese të studentëve, rritjen çdo ditë të prestigjit akademik e shkencor, në përballjen me universitetet partnere në vend e në botë, nëpërmjet produktit shkencor të akademikëve tanë dhe numrit të të diplomuarve që rekrutohen e punësohen në në tregun dinamik të punës.
Le ta kthejmë UNISHK-un në një universitet ne komunitet dhe për komunitetin, qytetin dhe rajonin, në një promotor të zhvillimit lokal e rajonal, me ambicien për të qenë në pararojë të universiteteve shqiptare, edhe me ndërkombëtarizimin..
Le të ndihemi optimist për familjen UNISHK, që është ndërtuar bashkërisht ndër dekada, por që ka nevojë të ruajë e përditësojë traditën, te rritë transparancën dhe të transformohet në strukturë e përmbajtje.
Na qoftë një vit i mbarë! /Përshëndetje e rektorit të UNISHK “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj me rastin e fillimit të ri akademik/