Më 20 shkurt përkujtojmë Atë Anton Harapin, françeskan, filozof e teolog i jashtëzakonshëm, misionar i madh i fesë dhe i idealeve kombëtare, në përvjetorin e vrasjes së tij nga diktatura komuniste më 20 shkurt 1946.
Bashkë me të, në të njëjtën ditë, u ekzekutuan Lef Nosi, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan shqiptar, i cili njihej gjithashtu si babai i filatelisë shqiptare dhe Maliq bej Bushati, ish-Ministër i Punëve të Brendshme në 1939-1941 dhe kryeministër në 1943.
Ishin personalitete me interesa të gjëra kulturore dhe kombëtare, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në momentet historike më delikate të Shqipërisë.
Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq bej Bushati u shpallën “kriminelë lufte, armiq të popullit dhe sabotatorë të pushtetit”. Gjyqi u zhvillua në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku kryetar i gjykatës ishte Irakli Bozo dhe prokuror Misto Treska. /Nga Pjerin MIRDITA/