Në fund të vitit të shkuar, më 20 nëntor 2017, zv/kryeministrja Senida Mesi do të firmoste një VKM ku i hapte rrugën kompanisë ‘Startek’ që të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm i cili do i lejonte firmës ‘përfshirjen në projektin investues ‘Kompleksi Turistik Dhërmi’.
VKM e zëvendëses së Ramës bazohej mbi një ligj të mëparshëm, të miratuar në vitin 2015, për ‘investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë’. Për të mbikqyrur punë të tilla, qeveria krijoi Komitetin e Investimeve Strategjike.
Çfarë janë investimet strategjike?
Ligji i vitit 2015 përcaktonte të paktën 6 sektorë ku investimet private, publike apo një përzierje e të dyjave (PPP-Partneriteti Publik Privat), mund të përfitonin statusin e ‘strategjikes’: Energjia dhe minierat, transporti, telekomunikacioni, infrastruktura dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi.
Sipas Monitor, pas miratimit të ligjit “projektet për fshatrat turistike zunë radhë të parët për të përfituar statusin”.
Komiteti i Investimeve Strategjike që e jep këtë status ka marrë në shqyrtim 8 projekte, ka miratuar 3 prej tyre dhe ka refuzuar 2; të tjerëve u është kërkuar të plotësojnë ‘dokumentacion shtesë’.
Në këtë listë hyn edhe firma ‘Startek’. Po pse është refuzuar Startek, apo pse është lënë për një moment të dytë? Sipas dokumentit të siguruar nga Politiko (shih foton më lart) “projekti është ende i pamaturuar’. “Subjekti propozues duhet të plotësojë dosjen e projektit me dokumentacion mbi identifikimin e qartë të zonës së synuar për zhvillim në ZK Nr. 1481 dhe me kontratat e lidhura ndërmjet pronarëve dhe subjektit propozues së projektit “Kompleks Turistik Dhërmi”. Gjithashtu, projekti duhet të jetë në përputhje me termat teknikë të Planin e Përgjithshëm Vendor Bashkia Himarë.
Listohen edhe garancitë financiare shtesë, plotësimi i mëtejshëm me dokumentacion shtesë etj.
Hyn në skenë aktori Gazmend Paja
Dy muaj pas VKM me firmën e zv/Kryeministres që kërkon ‘shtesa’, më 26 janar 2018, në zyrën e noteres publike Mimoza Sadushaj në Tiranë janë paraqitur dy palë kontraktuese për tokën ku do të ngrihet resorti apo ‘investimi strategjik’. Bëhet fjalë për 9 mijë metra katrorë që gjenden në vendin e quajtur Skrama në fshatin Dhërmi, pjesë e Bashkisë Himarë në Qarkun e Vlorës. Pala shitëse i përket familjes Mimani, e cila zotëron titullin e truallit, sipas një vendimi të vitit 2013. Blerësit janë Lulëzim Mehmeti, Enri Laku, Endrit Beqiraj dhe Gazmend Paja. Ky i fundit është aktori i ‘Portokallisë’.
Elementi i ri i dosjes së ‘Startek’ në rrugën për të përfituar statusin e ‘investuesit strategjik’, është një kontratë e re shitblerjeje prone dhe një emër i ri në të: ai i aktorit Gazmend Paja, i njohur në botën e humorit, por jo të ndërtimit apo investimeve.
Emri i tij shfaqet në kontratën e dytë të shiblerjes së tokës në Dhërmi, si pjesë e plotësimit të dokumentacionit shtesë, vendosur si kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Projekti i resortit në Dhërmi parashikohet të jetë një investim prej 50-70 milion euro, që do të thotë, nëse të katër blerësit e pronës do ta investonin me pjesë të barabarta, kontributi financiar i secilit do duhej të ishte rreth 15 milionë euro.
A i ka kapacitetet e tilla financiare një aktor në Shqipëri? Duke ditur statusin ekonomikisht të paprivilegjuar të artistëve, përfshirë edhe të aktorëve të paguar mirë të Portokallisë, -shto këtu edhe koncertet e tyre në Diasporë-, përgjigjia do të ishte ‘Jo’. Këtë e thotë edhe vetë i ati, gjithashtu aktor, i Gazmend Pajës, Luftari i cili ankohet për ilaçet e shtrenjta.
Cili është roli i Gazmend Pajës në investimin e fshatit turistik në Dhërmi?
Burime të Politiko, thonë se Paja, duke shfrytëzuar lidhjet politike, ka marrë përsipër që t’i japë investimit në fjalë statusin ‘strategjik’. Ai është ndërmjetësi mes investitorit të resortit dhe ‘njerëzve në qeveri’ që kanë në dorë firmën për dhënien e këtij statusi. Këtë e shpjegon prania në kontratën e shitblerjes së emrit të aktorit, vetëm dy muaj pasi Komiteti i Investimeve Strategjike e ka shtyrë dosjen e ‘Startek’ si ‘të paplotë’.
Kjo shpjegon gjithashtu aktivitetin e shtuar publik-politik të Gazmend Pajës gjatë muajve të fundit, dalja hapur e tij në krah të kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama, në vendimin për të shembur Teatrin Kombëtar dhe ngritjen në vend të tij, nga firma ‘Fusha’, të një kompleksi tregtar ku do të jetë edhe teatri i ri.
Pse është i rëndësishëm statusi ‘strategjik’
Marrja e statusit të investimit strategjik ka një rëndësi jetike për firmat që e kërkojnë, sepse e përjashton investitorin nga taksimi për 10 vitet e para të punës, duke i dhënë një dorë të fortë për rikuperimin e investimit. /politiko.al/