“Linda Rama, gruaja e kryeministrit Edi Rama, ka qenë anëtare e Bordit të Bankës Amerikane të Investimeve deri vitin e kaluar. Ajo ka qenë anëtare në Bordin drejtues deri më 20 dhjetor të vitit të kaluar, në cilësinë e ekspertes në fushën e makro-ekonomisë.
Ajo thjesht ka konsumuar mandatin e saj si anëtare bordi. Sot, pas debatit në Kuvend, pasi Berisha u shformua në fytyrë nga debati me Ramën, që i kujtoi pamundësinë për të kaluar oqeanin, portalet afër Berishës hodhën në treg lajmin se Linda Rama ka dhënë dorëheqjen nga Bordi drejtues i Bankës Amerikane të Investimeve.”. Këto dy paragrafe janë shkëputur nga një shkrim- shënim i TemA me titull “AKUZAT/ Përse portalet e Berishës shpikën dorëheqjen e Linda Ramës nga Banka Amerikane e Investimeve?”.
Meqenëse edhe ShkodraWeb e “shpiku” sipas TemA-s këtë lajm, e ndjejmë për detyrë të shpalosim vetëm atë që çdokush e gjen lehtësisht në faqen online të Qendres Kombëtare të Bisnesit. Siç mund ta lexoni më poshtë, zj. Lindita Rama është emëruar antare e Këshillit Drejtues të ABI Bank me 7 janar 2016. Në mënyrë të çuditshme, ky ndryshim është pasqyruar në QKB me 26 shtator 2018 ose pas rreth 8 muaj e gjysëm nga vendimi i marrë. Po kështu, lexohet qartë se mandati i zj. Rama është ditë më ditë 4- vjeçar, nga 7 janar 2016 deri me 7 janar 2020.
Siç mund ta shikoni edhe në dokumentin më poshtë, zj. Rama është bërë pjesë e ABI Bank pasi kjo ka ndryshuar emër e pronar. Me vendimin nr. 60 datë 18 tetor 2015, u bënë ndryshimet që mund të lexoni edhe vetë. Brenda më pak se 3 muajve nga këto ndryshime, zj. Rama bëhet antare e Këshillit Drejtues të bankës, vendim që siç e patë edhe më lart, është depozituar në QKB me mëse 8 muaj vonesë.
Tani për të ardhur tek pjesa që Tema e quan “shpikje të portaleve të Berishës.”. Në fakt, nuk identifikohemi dhe nuk duam të identifikohemi, por mbase pa dashje, TemA na përfshiu edhe ne në këtë togfjalësh. Kështu që jemi të detyruar të hedhim dritë për ata lexues që na ndjekin dhe na besojnë. Më poshtë keni përsëri një dokument nga QKB. Ka një vendim të Asamblesë së ABI Bank për pranimin e dorëheqjes së zj. Rama si antare e Këshillit Drejtues. Nga sa kuptohet, dorëheqja e zj. Rama është depozituar me datë 20 dhjetor, sepse vendimi i Asamblesë i ABI Bank i shtrin efektet pikërisht nga kjo datë. Vendimi është depozituar në QKB me 9 janar 2019. Ndërkohë, në dokumentin e parë të këtij shkrimi, mund të kujtoni se mandati i zj. Rama ishte deri me 7 janar 2020. Kjo dotë thotë se ajo nuk e ka konsumuar mandatin, por e ka ndërprerë përmes dorëheqjes. Arsyet e kësaj dorëheqje, natyrisht që i di vetë zj. Rama, mbase edhe ABI Bank që ka në dorë letrën e dorëheqjes së saj të parakohëshme. Se ku është shpikja e “portaleve të Berishës” siç thotë TemA, vetëm TemA mund ta gjejë!
Në fund të këtij sqarimi të detyruar për lexuesit e ShkodraWeb, i kërkojmë ndjesë zj. Lindita Rama që i kemi përmendur emrin disa herë. Edhe pse është një personazh publik dhe të dhënat që kemi përdorur në këtë shkrim, janë të gjitha publike në QKB. Me këtë rast, i urojmë karrierë të suksesshme zj. Rama kudo që të jetë, sektor publik apo privat, në bankë apo në auditore. /Shënim i ShkodraWeb/