Historiani dhe publicisti Artan Lame ka publikuar disa fatura të pagesës së energjisë në vitet ‘20-’30. Për çdo faturë ka hedhur edhe shpjegimin përkatës që do e lexoni më poshtë.
“Kjo puna e pagesës së energjisë aforfe, nuk qenka shpikje e ditëve tona. Është e vjetër sa vete centrali i Tiranës. Ky dokument i vitit 1929, kur qeveriste Zogu I, njofton se dritat nuk do paguhen më me aforfe, por aq sa shpenzosh. Po si dreqin ju kthyem sërisht aforfesë gjysmë shekulli më pas!”, shkruan Lame.
“Pastaj Naltmadhnia iku në prill 1939, dhe hyri Italia, por askush nuk tha “varja, u bë ç’u bë, e fillojmë nga fillimi”. Kjo është faturë e majit 1939, një muaj pas pushtimit italian dhe ky tipi shkon të paguaje dritat tek pushtuesi, paçka se i kishte harxhuar ndën tjetër qeveri”, thotë Lame.
“Një ditë edhe italianët ikën dhe erdhi gjermani, por prapë askush nuk tha “varja të vjetrave, të fillojmë nga fillimi”. Dhe megjithëse ishte mesi i luftës, fatura ishte faturë dhe s’kishte llafe. Kjo është faturë për energjinë e shpenzuar në gusht 1944, dhe e paguar në 19/10/1944, vetëm një muaj para çlirimit. Lufta luftë, por hesapi hesap, s’bëhej shaka me gjermanin”, shkruan kreu i ALUIZNI-t.
“Pastaj edhe gjermani iku dhe erdhi Komandanti, bota u përmbys nga themelet, por fatura është faturë. Në këtë faturë të gushtit 1946, KESH-i komunist kërkon pagesën e energjisë së harxhuar që në kohë të gjermanit”.
“Që të mos ju duket se e gjitha kjo ishte për shkak të ndonjë drejtori maniak të OSHEE-së, e njëjta gjë ishte edhe me ujësjellësin. Kjo është libreza e pagesës së ujit të shpenzuar nga një qytetar. Pagesa e parë është datë 1 janar 1945. Një muaj çlirim kishte, por që ditën e parë të vitit, vrap të paguante ujin”.