Ditën e djeshme, shumë portale online kanë përcjellë një informacion lidhur me një shpërthim apo rrjedhje gazi në një klasë në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër. Informacioni ka marrë spunto nga një postim në Facebook i këshilltarit bashkiak Fatlum Nurja, i cili shkruante:
“Kete status e kam me dedikim.
Per Voltana Ademin, qe merr rrogen per Kryetare Bashkie.
Sot, ne shkollen 9 vjecare “Ndre Mjeda”, ne nje klase te 8-te ku meson im bir, bombola eshte kapur flake dhe nxenesit kane dale urgjentisht nga syte kembet ne panik e te llahtarisur… Felenderojme Zotin dhe mesuesin e matematikes qe ndalen tragjedine. Ka tre vite, qe kur fillove mandatin, qe n KB te them hiq bombolat e gazit per ngrohje ne shkolla…
Ato pervec se helmojne femijt me gazrat e metanit, por jane edhe rrezik potencial per shperthim. Ca duhet me ndodhe me pase vemendjen tande nje sherbim cilido qofte…? Cdo dite me skandalizon indiferenca jote.
Pritni me u djege ndonje klase komplet me u ndergjegjesu?! Jam i revoltuar ku smban me!”.
Lajmi i amplifikuar nga mediat, ka vënë menjëherë në lëvizje Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, i cili ka bërë akt- ekspertimin përkatës.
Ndërkohë, ka qenë Bashkia e Shkodrës, e cila ka kërkuar nga ISHTI akt- inspektimin, të cilin ua ka vënë në dispozicion mediave dhe gazetarëve. Në informacionin e shpërndarë nga Bashkia Shkodër, i shoqëruar me shkresat zyrtare por edhe me foto, shkruhet:
“Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, është vënë menjëherë në lëvizje për verifikimin e një ngjarje në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër.
Një inspektor i ISHTI, ing. Gëzim Troshani ka përpiluar akt- inspektimin e kryer në shkollën “Ndre Mjeda” pasditen e të martës, datë 22.01.2019, në të cilin bën konstatimet konkrete, të cilat i ka ilustruar edhe me foto.
Bashkia e Shkodrës, me shkresën me Nr.1069, Datë 23.01.2019, i ka kërkuar ISHTI-it akt- ekspertimin e realizuar po atë ditë, me datë 22 janar 2019.
Kryeinspektori i Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, i ka dërguar Bashkisë së Shkodrës aktin e inspektimit të realizuar, bashkë me fotot dhe me konkluzionin.
Bashkëngjitur, gjeni të gjithë dokumentacionin e dërguar nga Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial për Bashkinë e Shkodrës, të cilin ua vëmë në dispozicion të plotë.”.
Sipas asaj çfarë deklaron ISHTI, institucioni kompetent, ajo çfarë është raportuar, nuk ka lidhje me të vertetën.