E keni parë ndonjëherë filmin me metrazh të shkurtër “Dita e parë e emërimit”?! Një prodhim i “Kinostudios Shqipëria e Re” i vitit 1982 me regji të Rikard Ljarjas dhe skenar të Kiço Blushit, ky film flet për inxhinier Gjikën (Fane Bita) dhe bashkëshorten e tij Bardha (Roza Anagnosti) që falë punës emërohen në dikastere të larta. Inxhinier Gjika në fakt bëhet zëvendësministër…
Nuk e keni parë?! Dakord, s’ka shumë rëndësi. Me rëndësi për këtë artikull ka të bëjë batuta e fundit e filmit, kur nëna e Gjikës e uron atë për punën e re. Ajo thotë: “Me këmbë të mbarë o bir! Të nderosh shokët, të nderosh Partinë!… Nënës sënde mund t’i bësh ndonjëherë hile, por partisë kurrë!”
Gjithkush që e sheh sot këtë film e kalon me të qeshura dhe e konsideron atë kohë tejet absurde. Por ai regjim ishte vërtet i atillë saqë në raste ekstreme të përndjekjeve, nënat në marrëdhëniet me fëmijët e tyre u detyruan t’i lënë vendin Partisë: “Partia është nëna jonë!”
Kjo batutë më erdhi ndërmend teksa hasa në “Dosjen nr. 7 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës”.
Më 8 janar të vitit 1974, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, informonte Sekretarin e Komitetit Qendror, Hysni Kapon, rreth një grupi prej 40 të rinjsh të cilët kishin qëndrime “antisocialiste”. Nga akuzat që përmendeshin në shkresën “Sekret Nr. 1”, mes atyre të zakonshme si “diversion, dëshirë për arratisje, agjitacion e propagandë” ka një akuzë që nuk ndeshej shpesh në ato kohë, por që ishte po aq e rëndë nga ana “morale”: “shumëfishimi e shpërndarja e materialeve pornografike”.
Sipas shkresës “veprimtaria armiqësore” ishte e organizuar në “4 grupe me qendër Tiranë, Durrës, Berat dhe Vlorë” dhe mes këtij grupi kishte “të implikuar edhe ushtarë”. 15 prej këtyre të rinjsh qenë arrestuar, 25 ishin këshilluar, ndërsa 3 të tjerë, “deri sa të sqarohej pozita e tyre” ishin “akoma në ndjekje nga agjentura operative”.
Për ta luftuar këtë “të keqe”, zv.ministri informon se përveç arrestimeve janë kryer “këshillime në masë” ku përmes një të dërguari nga Ministria si dhe nën “asistencën” e organizatave të frontit të lagjeve, drejtorëve të shkollave apo ndërmarrjeve dhe komandantëve në ushtri u janë tërhequr vërejtje.
I gjithë ky proces, natyrisht, është bërë në publik dhe duke pasur të pranishëm edhe prindërit. Pra diskreditim dhe përndjekje e pastër!
Ajo që e bën këtë shkresë përtej të zakonshmeve janë citimet e dy prindërve të këtyre të rinjve, të cilët citohen paralelisht. Një nënë nga Berati, sipas Shehut, shprehet kështu: “Unë fëmijët i kam rritur me djersën e me kujdesin e vazhdueshëm që ka treguar partia. Asgjë nuk më ndan nga ky pushtet. Por djalit tim harram i qoftë djersa ime që e kam rritur dhe gjiri i s’ëmës, e bashkë me ligjin që e ndëshkon të marrë edhe urrejtjet tona si prindër.”
Fill pas këtij citimi pa emër e mbiemër, zv.ministri shton me nota tejet kërcënuese: “Nga të gjitha rastet që u bënë këshillimet, qëndrimet ishin shumë pozitive, duke përjashtuar të vetmin rast të… – për etikë, emrin e kemi censuruar – e shoqja e “…” e cila tha: “Nuk është e vërtetë që djali im është armik!”
S’ishte gjë dosido të t’përmendej emri në shkresa sekrete të funksionarëve të lartë, e lëre më pastaj për “veprimtari anti-socialiste”.
Pra ajo propaganda që shihet në filma është fiks ajo çka sistemi komunist kërkonte, në rastin në fjalë, që kur të vinte puna për “Parti” dhe ideal, edhe vetë nënat t’i mohonin fëmijët e tyre!