Pasi feja vihet nën kontrollin e shtetit nëpërmes ligjeve, në vitin 1967 nis lufta klasore për çrrënjosjen e botëkuptimit fetar si dhe mbyllja fizike e kishave dhe xhamive. Kjo, ndodhi fill pas fjalimit të Enverit më 6 shkurt 1967, për ta zhveshur popullin nga besimi fetar dhe futur në botëkuptimin marksist-leninist. Në vitin 1967, Komiteti Qendror, sektori i edukimit, nxjerr një raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa që u morën për çrrënjosjen e saj, duke u zëvendësuar me ideologjinë marksiste-leniniste.
Ky raport është siguruar nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe me këtë shënohet dhe fillimi i luftës së hapur të qeverisë komuniste kundër fesë, duke e lidhur veprimtarinë e tyre me elementë armiqësorë. Ku u përqendrua fronti i luftës kundër fesë? Cilat ishin karakteristikat e saj kryesore? Nga besim, feja kthehet në një vatër lufte ideologjike, duke u cilësuar nga Partia Komuniste si “një hap i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste”. Cilat ishin masat që mori Enver Hoxha për të likuiduar klerikët profesionistë? Cilat ishin masat që mori partia për të zhdukjen e legjendave dhe “çudirave” për vendet e shenjta? Si u kufizuan ritet dhe festat fetare me vendim qeverie? Viti 1967 është periudha më e errët për besimtarët, ku shënohen persekutimet më të egra të diktaturës.
Sipas porosisë së Enver Hoxhës, KQ i Partisë së Punës së Shqipërisë, në vitin 1967, lëshon vendimin për heqjen e festave të Bajramit dhe Pashkëve. Në dosjen arkivore nr. 191, F.14/A.P viti 1967 zbardhen disa nga drejtimet kryesore të politikës dhe ideologjisë së partisë komuniste në luftën kundër fesë. Më poshtë botojmë një pjesë të raportit informativ ku flitet mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe masa që u morën. E gjitha është një ironi për të krijuar atmosferën “armiqësore” të besimtarëve me fenë duke e nisur në ‘50 këtë luftë përçarëse për ta kurorëzuar me shembjet fizike të kishave e xhamive në vitin 1967.
***
Raporti informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj:
-Lufta për marrjen e kishave dhe xhamive u zhvillua në të njëjtën kohë edhe kundër dogmave, riteve e besimeve fetare, që përbën thelbin e luftës kundër fesë. Kjo e çoi luftën kundër fesë brenda në çdo familjeje dhe kjo është lufta më e mprehtë, më e gjerë dhe më e thellë sesa marrja e kishave dhe xhamive. Ajo prek e trondit direkt ritet fetare si botëkuptim, festat e zakonet që janë futur e shkrirë në jetën e përditshme të njerëzve.
Edhe në këtë drejtim ka rezultate të mira. Diskutimi i gjerë mbi këto probleme në kuvende e mbledhje të ndryshme të popullit, zotimet që u morën dhe lufta që po bëhet për t’i vënë ato në jetë, është një shkollë e madhe revolucionare për masat. Si pasojë e kësaj pune, një pjesë e ikonave, kandilave, librave fetarë, mbishkrimeve etj., që ishin simbole të perëndisë në shtëpitë e besimtarëve dhe që çdo ditë u faleshin, u likuiduan dhe u dorëzuan.
Ceremonitë e festat fetare u kufizuan dhe po zëvendësohen në një pjesë të mirë me festat tona kombëtare, lokale etj. Kështu, Bajrami i vogël, më 22 mars u festua shumë më pak se çdo vit tjetër. Kjo jo vetëm në qytete dhe në shumicën e fshatrave të zonës fushore e kodrinore, por edhe në mjaft fshatra të zonës së malësisë. Në ditën e Bajramit, në përgjithësi, nuk pati mungesa në punë, siç ndodhte vitet e tjera, po ashtu në shkolla nuk pati mungesa të fëmijëve siç ndodhi p.sh. vjet, ku në disa fshatra të rretheve të Krujës, Tiranës, Peshkopisë etj., ditën e Bajramit mungonin shumica e nxënësve. Pokështu ndodhi edhe me Pashkët që ishin në fund të prillit. Karakteristikë ishte se shumë organizata partie, duke aktivizuar organizatat e masave, arsimtarët, institucionet kulturoro-artistike, morën masa më të mira se vitet e tjera, për të festuar mirë 1 Majin dhe festat e tjera, duke organizuar mbasdite argëtimi, shfaqje artistike publike jashtë qytetit, etj.
Duke pasur parasysh porosinë e shokut Enver, që thotë se: “Megjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesim, besimet e tyre. Puna me ta do të jetë një përpjekje bindjeje e vazhdueshme e me durim të madh…
***
-Lufta kundër fesë duhet të trajtohet edhe sipas krahinave të vendit, sipas fshatrave, lagjeve e familjeve të veçanta, sepse edhe shkalla e besimeve fetare është e ndryshme.
Në secilin prej rretheve kanë vepruar disa fe. Por midis tyre ka dallime, sepse diku ka vepruar më shumë një fe sesa një tjetër. Një pjesë e krahinave të Veriut, si Shkodër, Lezhë, Mirditë, historikisht feja katolike ka patur influencë të madhe. Kjo duket edhe nga numri i kishave katolike që ka patur. Kështu, në Shkodër, numri i tyre arrinte në 67, në Lezhë dhe Mirditë nga 24. Në disa krahina të Jugut, si minoriteti (Sarandë, Gjirokastër), një pjesë e Korçës, Kolonjës, Vlorës, Fierit, Beratit e Lushnjës, Durrësit etj., feja orthodhokse ka patur një influencë të madhe. Në Korçë ka patur 132 kisha të mëdha e të vogla, në Gjirokastër 86, në Sarandë 21, në Kolonjë 90, në Vlorë 31, në Fier dhe Lushnjë nga 40 etj. Feja myslimane ka qenë më e përhapur në zonat e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Burrelit etj. Kështu, në Dibër kishte 122 xhami, në Burrel 70, Librazhd 50 etj. Në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Krujë dhe rrethin e B.Currit, influencë më të madhe kanë patur dervishët (shehlerët) si sekt i fesë myslimane.
Këto karakteristika, në rrethe të ndryshme të vendit kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe një punë të diferencuar të propagandës sonë ateiste-shkencore. Kujdes të veçantë nga organizatat dhe komitetet e partisë kërkon minoriteti, ku influenca e fesë orthodhoske është më e madhe, në rrethin e Sarandës nga popullata minoritare që përbën 41.3% të popullsisë së rrethit, rreth 2500 frymë prej vitit 1932-1943.
Qëndrimi ndaj fesë për komunistët është një çështje parimore. Çdo komunist duhet të jetë ateist, sepse botëkuptimi fetar është i papajtueshëm me botëkuptimin marksist-leninist, që përbën bazën ideologjike të partisë tonë. Prandaj, kjo çështje nuk mund të lihet pa u vënë re dhe pa u ndalur. Në radhë të parë këtu është fjala për t’i edukuar komunistët, për t’i zhveshur nga çdo paragjykim e besim fetar, për t’i kalitur që të kapërcejnë çdo lëkundje, çdo nënshtrim për hir të “zakonit”, të “traditës familjare” etj., nëpërmjet kritikës parimore e shoqërore në organizatat e partisë. Lëkundja ndaj besimeve fetare është shfaqje e oportunizmit ndaj ideologjisë reaksionare, prandaj dhe nuk pajtohet me figurën revolucionare të komunistit.
Organizatat bazë, organet udhëheqëse dhe aparatet e partisë në rrethe, duhet t’i kthehen herë pas here këtij problemi, ta analizojnë, të bëjnë studime, të përcaktojnë drejtime e aksione të mëtejshme, të përgjithësojnë eksperiencën pozitive. Sektorët e edukimit kanë një rol të veçantë. Aktivizimi i gjerë i inteligjencës, ngritja e komisioneve ose grupeve për studimin e problemeve të veçanta ose për përgatitjen e leksioneve, lektorëve, bisedave, botimi i materialeve propagandistike dhe buletineve të ndryshme e forma të tjera pune, që janë praktikuar nga disa rrethe, të organizohen e praktikohen më gjerësisht edhe nga rrethet e tjera. Format e punës që ka përdorur çdo rreth sipas nevojës e kushteve konkrete të tij, janë të shumta e të ndryshme. Duke i parë ato me sy kritik të përgjithësohen e përhapen më të mirat, dhe sipas nevojave, vetë jeta do lindë forma të reja më efektive.
Në luftën për çrrënjosjen e botëkuptimit fetar, në punën për edukimin shkencor të masave, organizatat dhe komitetet e partisë duhet të udhëhiqen e të mbajnë mirë parasysh letrën e shokut Enver për këtë çështje në përputhje me kushtet e tyre konkrete. /kujto.al/