Gazment Bardhi është zgjedhur kreu i grupit parlamentar të PD-së nga 28 deputetë të kësaj force politike.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar Kuvendin për vendimin me firmat e deputetëve demokratë që votuan Gazment Bardhin si kryetarin e Grupit, funksion i cili iu mor nga Basha me një vendim në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 2 shtator.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ia delegoi funksionin Flutura Açkës, duke njoftuar edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
“Në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit dhe Rregullores së Brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, ne deputetët anëtar të Grupit Parlamentar të PD ju konfirmojmë se Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është z. Gazment Bardhi”, shkruhet në letrën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit.
“Duke besuar se leximi nga ana juaj i disa njoftimve private ishte thjesht një lapsus dhe provokim i pajustifikuar, kërkojmë zyrtariasht ti jepni fund lojës me provokimin e opozitës dhe Grupit më të madh të opozitës parlamentare, të hiqni dorë menjëherë nga ndërhyrja në punët e brendshme të grupit tonë dhe tentativa për të krijuar një konflikt artificial brenda opozitës, si dhe në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të respektoni vullnetin e anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, vazhdon letra.