Këshilltarja bashkiake e Shkodrës Eliona Kodra Shkreli, ka ngritur në rrjetet sociale problemin e një familjeje, të cilës i është djegur banesa me me 17 dhjetor 2022 dhe akoma nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim nga bashkia apo qeveria. Në publikimin e saj në Facebook, këshilltarja bashkiake kërkon që Bashkia Shkodër të merret me këtë çeshtje.
Në fakt, Bashkia e Shkodrës është marrë me këtë çeshtje pas kerkesës që qytetari ka bërë në këtë institucion. Jo vetëm kaq, por bashkia i ka kthyer edhe një përgjigje zyrtare qytetarit përmes një shkrese, të cilën e ka siguruar ShkodraWeb por nuk dimë nëse ka mbërritur tek qytetari Kol Fusha.
Qytetari i sipërpërmendur, ka bërë kërkesë për “ndihmë financiare në rast djegie banese” me 12 prill 2023, thuasje 4 muaj pas fatkeqësisë që ka patur. Ndërkohë, përgjigja nga bashkia Shkodër, mban datën 13 qershor 2023, mëse dy muaj nga paraqitja e kërkesës. Dy dokumentet, mund ti gjeni më poshtë.
Siç mund ta konstatoni edhe vetë, kerkesa nga qytetari Kol Vat Fusha ka mbërritur në bashki jashtë afateve ligjore të paraqitjes, të paktën sipas shkresës me firmën e titullarit të deleguar për kthimin e përgjigjes.
Në këto kushte, mbase duhet parë ndonjë hapësirë tjetër ligjore nga administrata aktuale Beci për të ndihmuar këtë familje. Administrata pararadhëse, e ka konsideruar jashtë afateve ligjore kerkesën e qytetarit Fusha. Ndoshta mund të përfshihet edhe Këshilli Bashkiak, pse jo, përmes një nisme të këshilltares Eliona Kodra Shkreli.
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I KËSHILLTARES ELIONA KODRA SHKRELI
Vizitova një tjetër familje të cilës I është djegur pjesërisht banesa dhe nuk ka marrë deri më sot asnjë dëmshpërblim as nga bashkia dhe as nga qeveria, ndërkohë që nuk ka marrë as përgjigje në lidhje me hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor që bëhet nga Bashkia Shkodër për të përcaktuar dëmin që I është bërë banesës dhe vlerën e dëmshpërblimit që përfiton.
Kryefamiljari Kol Fusha tregon se është taksapagues I rregullt ndërkohë që institucioni I Bashkisë nuk iu gjend pranë në rastin e dëmtimit nga zjarri të një pjese të shtëpisë së Tij, madje duke treguar edhe indiferencë në përpilimin e dosjes tekniko-ligjore pavarësisht kërkesës zyrtare drejtuar drejtorisë së shërbimeve publike, ndjekjes së investimeve dhe infrastrukturës nga ana e të dëmtuarit, z.Fusha!
Që me 17 dhjetor 2022, familjes Fusha iu dogj nga zjarri një pjesë e banesës si pasojë e një shkëndije elektrike. Pavarësisht kërkesës së përpiluar për “ndihmë financiare në rast djegie banese”, akoma deri sot nuk ka marrë asnjë përgjigje se ku ka ngecur përpilimi I dosjes dhe kalimi për miratim në Këshillin Bashkiak që t’i hapet rrugë akordimit të dëmshpërblimit financiar.
Pasi u njoha me rastin, në cilësinë e këshilltares bashkiake, iu drejtova zyrës përkatëse për të marrë informacionin në administratën e re të Bashkisë, por akoma nuk kam marrë përgjigje ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga kontakti im i parë me zyrën.
I bëj thirrje kryebashkiakut Beci të bëjë funksionale administratën e Bashkisë në shërbimin ndaj qytetarit. Përderisa zyrat bashkiake nuk respektojnë kërkesat e një këshilltari, imagjino sa funksionale janë ndaj kërkesave të vetë qytetarëve.
Rastin e familjes Fusha do t’a ndjek personalisht deri në marrjen e një përgjigje zyrtare në lidhje me mohimin e të drejtës që I është bërë kësaj familje për akordimin e vlerës së dëmshpërblimit prej 200 mijë lek të vjetra për frymë që akordohet nga Fondi I emergjencave të Bashkisë, dhe për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor I cili më pas duhet të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak për marrjen e dëmshpërblimit që akordohet nga qeveria shqiptare.
Indiferencës institucionale dhe sorollatjeve të qytetarëve për marrjen e një të drejte që I takon me ligj duhet t’i jepet fund pasi institucioni I Bashkisë nuk është godinë propagande por godinë totalisht në funksion të shërbimit ndaj qytetarit!