Çeshtja e administratorit të Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, ka përfunduar për herë të dytë brenda pak ditëve në dyert e gjykatave.
Dy ditë më parë, u publikua në media vendimi i emërimit të administratorit të ri të UKSH- së Arvit Bushati, pasi më herët ishte liruar nga detyra administratori Mark Molla. Vendimi i kryebashkiakut Bardh Spahia, u tha se erdhi pas vendimit të gjykatës së Apelit Shkodër që i dha të drejtë Bashkisë.
Ndërkohë, sot është publikuar një tjetër vendim, sërish i gjykatave. Gjyqtari Andri Ymeri, në cilësinë e gjyqtarit të gatshëm në Gjykatën e Shkallës së parë Shkodër, ka marrë vendim sigurim padie, duke pezulluar vendimin e Bashkisë Shkodër të datës 18 korrik 2022.
LEXONI EDHE: Kryebashkiaku Bardh Spahia merr vendimin, ndryshon administratori i Ujësjellës- Kanalizime Shkodër…
Në vendimin e gjykatës që mund të shihni më poshtë, është edhe numri i protokollit të shkresës në Protokollin e Bashkisë, që mban datën e djeshme, 19 korrik 2022.
Deri në një shprehje përfundimtare të gjykatave, situata në UKSH i ngjan një rebusi. Ka një administrator që është Mark Molla, ndërsa një tjetër, Arvit Bushati, është në pritje për të marrë detyrën pasi të shprehen gjykatat, siç cilësohet edhe në vendimin e gjyqtarit Andri Ymeri.