Në orën 15.30 të ditës së sotme, kandidatja humbëse e zgjedhjeve në universitetin “Luigj Gurakuqi”, rektorja e komanduar Rajmonda Këçira, ankimon vendimin e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve- KIZ, i cili shpalli fitues prof. dr. Tonin Gjuraj.
Arsyetimi i Këçirës bazohet në “logjikën” që asnjëri nga kandidatët, nuk ka marrë mbi 50% të votave të vlefshme. Për këtë, ajo i referohet Nenit 4, pika 11 të Rregullores së zgjedhjeve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përmbajtjen e të cilës, mund ta lexoni më poshtë.
Sigurisht, rektorja e komanduar pas shkarkimit të Suzana Golemit për aferën që shpërtheu publikisht dhe e cila është akoma në duart e drejtësisë shqiptare, nuk ka kulturën e nevojshme juridike dhe me dashje, kalon tek pika 11 pa u ndalur tek pika 9, të cilën mund ta lexoni vetë.
Me logjikë juridike të thjeshtë, të cilët anëtarët e KIZ*it e kanë patur parasysh kur kanë shpallur vendimin (në komision ka personalitete që kanë administruar edhe zgjedhje kombëtare si Gaspër Kokaj, ish- zëvendëskryetar i KQZ- së) për prof. dr. Tonin Gjuraj si fitues, rektor i ri.
Është e thjeshtë të kuptohet që, nëse vijohet me leximin e pikës 11, më herët duhet kaluar nga 9 e sidomos nga 10, e cila flet qartë për kandidatët e vetëm, të cilët janë të detyruar të marrin votë pro 50%+1.
Edhe sistemi i këtyre zgjedhjeve, është i njëjtë me atë të zgjedhjeve për qeverisjen vendore, ku fitues shpallet kandidati që ka marrë shumicën e votave. Mesa duket, karrigia është mjaft e embël, edhe kur ka ardhur si dhuratë pas një fatkeqësie të rektores që zëvendëson si e komanduar.
Është e qartë se Komisioni i Apelit nuk do të “marrë mendtë” e Këçirës, e cila në dëshpërim kapërcen edhe pikat e rregullores së zgjedhjeve. Fatmirësisht, ka precedentë kur rektor fitues është shpallur ai që ka marrë më shumë vota, pavarësisht nëse ka kaluar 50%+1 apo jo.
Në fund, sipas ligjit, do të jetë ministra përgjegjëse për arsimin, ajo që do të verifikojë zbatimin e ligjshmërisë për zgjedhjen e rektorit të universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe do ti dërgojë Presidentit të Republikës emrin për dekretim. E për ta mbyllur, të gjithë anëtarët e pranishëm të KIZ- it, kanë firmosur pa asnjë rezervë vendimin e tyre. Madje, i kanë rrëzuar 5-o ankimimet, teksa vetë Këçira, publikoi dhe më pas fshiu në rrjetet sociale në postim pikërisht për zgjedhjet.
Kjo lëvizje thjesht rikthen edhe njëherë në vëmendje këtë IAL, duke ndikuar tashmë vetë drejtuesja në detyrë, ti dëmtojë imazhin universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.