Organizata “Judicial Watch”, në një njoftim të botuar të mërkurën, akuzon Departamentin e Shtetit se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri. “Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri.
I pyetur nga Zëri i Amerikës se si u përgjigjet këtyre kritikave, Ambasadori Lu thekson se: “Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF.
Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë.
Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë”, ka thënë ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu për “Zërin e Amerikës”.