Në ambientet e Kryeministrisë, janë firmosur marrëveshje për decentralizimin e funksioneve në fushën e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë mes 4 bashkive dhe ministrive përkatëse, të cilat paraqiten si model i ri i kompetencave të pushtetit vendor.
Përveç fjalëve të përgjithshme, asgjë nuk u tha konkretisht, ku konsistojnë këto marrëveshje.
Cilat janë risitë që do sjellin në funksion të shërbimeve publike?
Ligji organik “Për vetëqeverisjen vendore”, i përcakton qartë, 47 funksionet e bashkive në 8 fusha.
Cila është baza ligjore e këtyre marrëveshjeve dhe cilat janë kompetencat e decentralizuara, që po i shtohen bashkive?
A mos po flitet për ato funksione dhe kompetenca, që janë uzurpuar nga qeverisja qendrore, që nga viti 2015, duke i penalizuar bashkitë (posaçërisht ato të djathta) me mungesën e financimit?
Funksionet, që iu transferuan bashkive, pas Reformës Territoriale, ishin dhe vazhdojnë të jenë, të pashoqëruara me buxhetet përkatëse.
Të gjitha fondet e investimeve për këto funksione, mbetën të përqëndruara nëpër ministri ose te Fondi i Zhvillimit të Rajoneve pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Bashkitë, në kundërshtim me parimet e Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, detyrohen të konkurojnë për të përfituar fondet e tyre, të cilat shpërndahen sipas preferencave të qeverisë.
Shpresoj që këto marrëveshje të kenë respektu ligjin e pushtetit vendor, jo si VKM e vitit 2022, që ndërmori reformën në sektorin e Ujësellës Kanalizimeve duke cënuar autonominë vendore dhe duke ndërhyrë në kompetencat e pushtetit vendor.
Për të hedhë dritë mbi këto marrëveshje, që bëhen para zgjedhjeve të vitit 2025, i jam drejtuar me “Kërkesë për informacion” ministrive përkatëse. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Qarkut Shkodër, publikuar në Facebook/