Partia Demokratike ka miratuar “RREGULLORE MBI MODALITETET E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE PËR ZGJEDHJET E PUSHTETIT VENDOR”. Miratimi është kryer në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, e cila përveç pikave të tjera të rendit të ditës është marrë edhe me këtë proces shumë të rëndësishëm që i paraprin zgjedhjeve vendore të vitit 2023.
ShkodraWeb ka siguruar draftin final, të cilin mund ta lexoni duke klikuar linkun më poshtë. Sipas këtij dokumenti prej 10 faqesh, kryebashkiakët dhe deputetët në detyrë, nëse duan të kandidojnë për zgjedhjet vendore, futen direkt në primare pa iu nënshtruar filtrave të Komisionit të Vlerësimit apo edhe kritereve të përcaktuara që duhet të përmbushin kandidatët e tjerë.
Ndërkohë, Partia Demokratiek ka vendosur të shtrijë primaret për pushtetit vendor përtej antarësisë së saj zyrtare. Në dokumentin e siguruar nga ShkodraWeb, mësohet se primaret do të shtrihen edhe tek simpatizantët e PD- së. Vota e tyre do të ketë të njëjtën vlerë si ajo e antarëve të partisë, pavarësisht vjetërsisë që mund të kenë në PD.
Sipas dokumentit, fushata zgjedhore për primaret nis 21 ditë para datës kur do të zhvillohen ndërsa dita e fundit të do tjetë heshtje zgjedhore. Pjesë e primareve mund të jenë edhe drejtues të lartë vendorë të PD- së por që duhet të paraqesin dorëheqjen nga postet të paktën 3 ditë para zhvillimit të primareve.