Me falenderimin për Elona Agollin që e solli në kujtesë, më poshtë letra e Dritëroit drejtuar Babit pas vizitës së tij në shtëpinë në Shkodër, teksa im atë ishte në muajt e fundit të jetës (2003).
“I dashur Jup“, një e dorēshkruar letër për prof. Jup Kastratin, albanologun e shquar , “ rilindas i vërtetë” , siç e quan Dritëroi . Dashuri e vlerësim për dijetarin e shquar , respekt e përunjësi ndaj veprës së tij, lëvdatë e cilësime të jashtëzakonshme për çka shkroi “ dora e artë me mendjen e ndritur” të prof . Jup Kastrati . Dhe ende më i madh vlerësimi , pasi vepra e tij “ bën të rritet krenaria për historinë e shqiptarëve , që sot edhe një trumcak merr guximin ta nëpërkëmbë “, citoj Dritëroin . Ja teksti i plotë i letrës:
I dashur Jup,
Po të dërgoj ato fotografitë , që bëmë në shtëpinë tënde simpatike, – brenda me libra dhe jashtë me lule. Janë kujtime të paharruara për mua, Moikomin dhe Sadijen, nxënësen tënde dhe gruan time. Por e paharruar është vepra jote,- e paharruar mbi të gjitha. Të të them me zemër në dorë , unë vetëm kur lexova vëllimin e parë të “Historisë së albanologjisë”, shkruar nga dora jote e artë me mendjen tënde të ndritur, mësova se ç’është albanologjia. Deri atëherë dija aq sa ç’mund të dihet nga ndonjë fjalor enciklopedik.
Vepra jote, e shkruar me një gjuhë të pasur dhe të zgjedhur, me një vendosje figurash historike dhe faktesh plot vërtetësi , të çmuara për kulturën tonë, të kujton krijimtarinë e enciklopedistëve francezë dhe atë të rilindasve tanë. Pa ta bërë qejfin dhe as pa ndonjë hiperbolë, ti Jup je një rilindas i gjallë. Këtë gjë unë e kam thënë para disa vjetësh për Rexhep Qosen. E pse të ngurrojmë t’i themi këto vlerësime për këta njerëz si ju? Fatkeqësisht disa nga ne mezi i thonë këto vlerësime . Duket sikur , po t’i thonë , i bëjnë ndonjë lëshim mendjemadhësisë së tyre.
E ku e kisha fjalën? E, po. E kisha tek “ Historia e albanologjisë”. Po të shtoj nga ato që thashë pak më lart, do të vijoja : libri yt vërtet është voluminoz, por lexohet, siç shprehemi, me një frymë. Njeriu tek lexon përfytyron ata “ proletarë” të shquar të mendjes, apo ata kolombë, që nuk pushuan të kërkojnë e të zbulojnë në fushën e kulturës, gjuhës dhe historisë sonë. Kjo bën të rritet krenaria për historinë e shqiptarëve, që sot edhe një trumcak merr guximin ta nëpërkëmbë. Por këtë krenari na e rrit ti me librin tënd, prandaj ky libër është aktual , aktual që thërret : “Shqiptar, shiko si të mburrnin dijetarët e huaj! Ti, pse e shan veten”!
Kështu, i dashur Jup, të uroj shëndet, krijimtari dhe humor!
Përqafime
Dritëro Agolli
15 nëntor 2002 /Publikuar në Facebook nga Diana Jup KASTRATI, pedagoge, vajza e Prof. Jup KASTRATI/