Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar debatin me dyer të mbyllura gjatë mbledhjes së Partisë Socialiste në qytetin e Shkodrës, drejtuar nga ish-zv/kryeministrja Senida Mesi. Në debatin e zbardhur, anëtarëve socialistë u kërkohet që të votohet në krye të këshillit bashkiak një grua, ku përmendet edhe emri. Kjo ka shërbyer që socialistët të “shpërthejnë”, duke nënvizuar se njësoj si me Valdrin Pjetrin, edhe në këtë rast u kërkohej të votohej një emër i panjohur për ta.
Madje, ata kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama që t’u kërkojë falje për kandidimin e Valdrin Pjetrit si kryebashkiak.
“Nuk jemi dele që na vini me këta urdhra. Së pari të vini të kërkoni falje për kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni. Por e njohur KM Valdrinin që na e solli pa pyet? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë. Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë mos të shtojmë turpin…”, thotë Tereze Brigja.
“Ne jemi në demokraci dhe nuk pranojmë të komandohemi kështu. Do të doja shumë të ishte Edi Rama këtu, t’i them si më dhemb shpirti për këtë gjendje ku është katandisë PS, Shkodër. Na bëri gropën me atë kandidat, që siç e pamë as në zonë të vet në Rrenc nuk fitoi”, shton ajo gjatë debatit.