Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për nisjen e procedurave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Balla kërkon që në Konferencën e Kryetarëve më datë 29 Prill 2022, të përcaktohet dhe data e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit.
“Propozoj që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet në datën 4 maj 2022”, thuhet në shkresën e Taulant Ballës.
“Ju parashtroj kërkesën që Kuvendi të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit më datën 29 Prill 2022.
Për këtë qëllim, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, ju propozoj thirrjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 29 Prill 2022, me këtë rend dite:
-Fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë
-Përcaktimi i datës së raundit të parë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, referuar nenin 87 të Kushtetutës, propozoj që raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të kryhet në një seancë plenare të posaçme, e cila të mbahet në datën 4 maj 2022′.