Të jesh ambasador i vendit tënd në një vend tjetër, është jo vetëm privilegj por edhe përgjegjësi e madhe. Duke e konsideruar më shumë privilegj se përgjegjësi, në jo pak raste jemi dëshmitarë të “luftës” që bëhet edhe në një vend të rëndomtë, ndoshta edhe më “i humburi” i globit. Lobohet deri në nivelet më të larta, Kuvendi, Kryeministria e Presidenti i vendit. Por jo gjithmonë ndodh kështu.
Me 14 tetor 2009 (dorëzoi detyrën me 10 nëntor, duke iu rikthyer jetës akademike), Tonin Gjuraj dha dorëheqjen si ambasador i Shqipërisë në Izrael, duke çuditur jo pak aso kohe me veprimin e tij. Sot, 15 vjet pas kësaj dorëheqje, ShkodraWeb publikon për herë të parë, ekskluzivisht, letrën e dorëheqjes drejtuar Presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të punëve të jashtme Ilir Meta.
Siç mund ta lexoni edhe më poshtë në dokumentin e mëposhtëm, ambasadori Gjuraj, i emëruar me 17 shtator 2007, thekson se:
“Jam penguar të përmbush si duhet funksionin”, duke rreshtuar konkretisht “buxhet të pamjaftueshëm, kushte të papërshtatshme pune, aspak dinjitoze për një Përfaqësi, si dhe një mungesë të theksuar e të pajustifikuar vëmendje ndaj kësaj Përfaqësie”.
Pasi nënvizon mungesën prej 5 vitesh e caktimit të ambasadorit të Shqipërisë në Izrael, Gjuraj denoncon edhe qasjen që vinte nga Ministria e Punëve të Jashtme të kohës, e drejtuar nga ministri Ilir Meta.
“Kësisoj, nuk i lejoj vetes të merrem zvarrë nga mungesa e përgjegjësisë shtetërore të ndonjërit prej drejtuesve të lartë të MPJ- së, që me shprehje të tipit ‘shko, merr rrogën dhe rri në zyrë, pasi nuk mund të bëhet punë me hebrenjtë” apo ‘Izraeli nuk është prioritet, kësisoj nuk mund të ketë më tepër vëmendje e buxhet’, kanë provokuar indinjatë dhe vështirësi të jashtëzakonshme në ushtrimin e detyrës”.
Kjo shkresë e ish- ambasadori Tonin Gjuraj, tregon mungesën e vizionit dhe anashkalimin e një shteti mjaft të rëndësishëm, siç është Izraeli. Kujtojmë se Shqipëria ka një rol shumë të rëndësishëm edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku një numër i konsiderueshëm hebrenjsh u shpëtuan nga Holokausti. Nga ana tjetër, tregon se Tonin Gjuraj nuk kishte pranuar postin e ambasadorit për të marrë thjeshtë një rrogë apo edhe privelegje të mundshme diplomatike. /ShkodraWeb/