Pse Mehmet Shehu shkruan se internimet duheshin hequr si masë ndëshkimi dhe se nga 1103 persona vetëm 50 prej tyre duheshin mbajtur në internim… Një dokument i rrallë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar kryeministrit Mehmet Shehu, na bën një skaner të gjendjes së të internuarve në gjithë Shqipërinë në shtator të vitit 1962. Në këtë dokument tregohet me shifra të sakta sa të internuar kishte në të gjithë kampet e internimit në Shqipëri, si ishin ndarë të internuarit nëpër këto kampe, sipas rrezikshmërisë që ata paraqisnin për regjimin e Hoxhës, dhe si ishte raporti mes këtyre kategorive të të internuarve.
Në vitin 1962 në gjithë Shqipërinë ishin 1103 të internuar, pjesa dërrmuese e të cilëve e vuanin këtë dënim për arsye politike dhe vetëm 68 prej tyre ishin internuar për shkaqe ordinere.
Vendi me fluksin më të madh të të internuarve ishte Lushnja, ku ishin izoluar nëpër fshatra internimi 662 të internuar. Pas Lushnjes, renditej Fieri me 206 të internuar dhe më tej Kruja, Saranda, Berati, Shkodra, etj.
Dokumenti ofron të dhëna që dëshmojnë grafikun e internimeve nga viti 1954 deri në vitin 1962. Nga viti 1954 dhe deri në fund të muajit gusht të këtij 1962, komisioni i internim dëbimeve, kishte internuar 2695 persona. Gjatë këtyre viteve, ky komision kishte liruar 1592 persona dhe kishte lënë ende në internim 1103 personat që citohen në krye të dokumentit.
Por pjesa më interesante e dokumentit qëndron në fund të tij, te shënimi me shkrim dore i Mehmet Shehut, i cili thotë se ministria e brendshme e ka gjetur internimin si masë ndëshkimi më të kollajtë për ti izoluar të dyshuarit, se sa të provojë fajësinë e tyre. Sipas tij, 2/3 e të internuarve duheshin liruar dhe në finale vetëm 50 prej tyre duheshin mbajtur në internim.
S’dihet si është pritur më tej ky reagim i Mehmet Shehut, por duke parë historikun e mëvonshëm të internimeve vit pas viti, vihet re se kjo masë ndëshkimore u përdor me të njëjtin ritëm deri në fund të viteve ’80-të dhe se numri total i të internuarve nuk zbriti pothuajse asnjëherë poshtë 1000-ës.
Më poshtë e sjellim ekskluzivisht në kujtio.al, këtë dokument të rrallë e me të dhëna mjaft sinjifikative sa i takon ashpërsisë së regjimit në ndëshkimin e kundërshtarëve të tij.
Dokumenti i plotë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDËSHME
“TEPËR SEKRET”
Nr. oy-569
Ekz. Nr. 1
Tiranë, me 30/9/1963
L A N D A: Mbi t’internuarit me vendim të Komisionit t’internim dëbimeve.
SHOKUT MEHMET SHEHU
KRYETAR I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË
R.P. TË SHQIPËRISË
TI R A N Ë
Gjithësejt t’internuar me vendim të Komisionit t’internim-dëbimeve janë 1103 persona dhe u përkasin më tepër rretheve kufitare dhe qytetit Tiranës.
Ndërmjet 1103 të internuarvet, 171 i përkasin Shkodrës, 161 Korçës, 135 Peshkopisë, 78 Kukësit, 69 Tropojës, 71 Kolonjës, 91 Sarandës, 43 Gjirokastrës, 122 Tiranës, 37 Vlorës, 19 Pogradecit dhe pjesa tjetër më e vogël i përket rretheve të tjera.
Prej 1103 t’internuarve, 662 janë vendosur në rrethin e Lushnjes, 206 në rrethin e Fierit, 71 në Thumanë të Krujës, 66 në Borsh të Sarandës, 30 në rrethin e Beratit, 19 në Hajmel të Shkodrës, 10 në Cërrik të Elbasanit, 12 në rrethin e Rëshenit, 11 në Zvërnec të Vlorës, 3 në rrethin e Tepelenës, 4 në rrethin e Lezhës, 5 në rrethin e Vlorës, 1 në Gramsh, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Maliq të Korçës.
Në pjesën më të madhe t’internuarit e mësipërmë janë vendosur me banim dhe me punë pranë fermave shtetërore dhe vetëm një pjesë e vogël janë vendosur pranë kooperativave bujqësore.
Internimi i 1103 personave është bërë si më poshtë:
1) 103 t’internuar si pjestarë të familjes të kriminelave të luftës që nuk përfitojnë nga amnistija (pjestarë të familjes të Gjon Marka Gjonit, Prenk Previzit, Abas Kupit, Muharem Bajraktarit, Qazim Mulletit, Hysni Demës, Fiqiri Dines etj.).
Këta janë vendosur në rrethin e Lushnjes, e në pjesën më të madhe në Gradishtë.
2) 101 t’internuar janë bajraktarë, kulakë ose pjestarë të familjeve të tyre, që kanë t’arratisur jashtë shtetit.
3) 292 t’internuar kanë pjestarë të familjes së tyre t’arratisur jashtë shtetit, të cilët zhvillojnë veprimtari spiunazhi ose futen si diversantë në vendin tonë.
4) 239 t’internuar kanë pjestarë të familjes së tyre t’arratisur jashtë shtetit dhe që banojnë në brezin kufitar (5 km. larg kufirit).
5) 271 t’internuar për rrezikëshmëri arratisje.
6) 31 t’internuar për rrezikëshmëri vrasje për hakmarje ose për shkaqe të tjera të dobëta.
7) 15 t’internuar nga ata që kanë qenë kriminelë lufte ose eksponenta në të kaluarën dhe mbas vuajtjes së dënimit në burg, për rrezikëshmërinë që paraqisnin, janë internuar.
8) 22 t’internuar për sjellje të padenja në shoqëri, prostitucion, vagabondazh etj.
9) 27 t’internuar për rrezikëshmëri të theksuar shoqërore politike (elemente anti-parti etj.).
Qysh nga viti 1954 dhe deri në fund të muajit gusht të këtij viti, komisioni i internim dëbimeve, ka internuar 2695 persona, prej këtyre, me vendim të komisionit janë liruar 1592 persona dhe kanë mbetur 1103 persona. Duke filluar qysh nga viti 1954 dhe deri në fund të muajit gusht 1963, gjendja e personave t’internuar dhe atyre që janë liruar, është si më poshtë:
Në vitin 1954 kanë qenë 651 persona t’internuar, janë liruar 174 dhe kanë mbetur 477.
Në fillim të vitit 1955 kanë qenë 477 t’internuar, janë internuar gjat vitit 17 të tjerë dhe janë liruar 79. Në fund të vitit kanë qenë 415 persona.
Në fillim të vitit 1956 kanë qenë 415 persona, janë internuar gjat vitit 1956 185 të tjerë, janë liruar 340 dhe kanë mbetur në fund të vitit 260 persona.
Në fillim të vitit 1957 kanë qenë 260 t’internuar, janë internuar gjat vitit 256 të tjerë, janë liruar 62 dhe kanë mbetur në fund të vitit 454 persona.
Në fillim të vitit 1958 kanë qenë 454 t’internuar, janë internuar gjat vitit 302 të tjerë, janë liruar 150 dhe në fund të vitit kanë mbetur 606 persona.
Në fillim të vitit 1959 kanë qenë 606 t’internuar, janë internuar gjatë vitit 291 të tjerë dhe janë liruar 127. Në fund të vitit kanë mbetur 770 persona.
Në fillim të vitit 1960 kanë qenë 770 t’internuar, janë internuar gjat vitit 206 të tjerë, janë liruar 327 dhe në fund të vitit kanë mbetur 649 persona.
Në fillim të vitit 1961 kanë qenë 649 t’internuar, janë internuar gjat vitit 322 të tjerë, janë liruar 29 dhe në fund të vitit kanë mbetur 942 persona.
Në fillim të vitit 1962 kanë qenë 942 t’internuar, janë internuar gjat vitit 408 të tjerë dhe janë liruar 99. Në fund të vitit kanë mbetur 1251 persona.
Në fillim të vitit 1963 kanë qenë 1251 t’internuar, janë internuar deri në fund të muajit gusht të këtij viti 57 të tjerë dhe janë liruar 205. Deri në fund të gushtit kanë qenë 1103 persona.
Ndërmjet 1103 personave që aktualisht ndodhen t’internuar, 122 prej tyre, për rezikshmërinë që paraqesin, mbahen t’internuar me vendim të Komisionit për të dytën dhe të tretën herë. Të tillë janë kryesisht pjestarët e familjeve të kriminelave të luftës, ose prej atyre që paraqesin rezikshmëri të theksuar arratisje.
Në përgjithësi të gjithë personat e liruar në vitet e kaluara dhe ata që u liruan gjatë këtij viti, duke patur të rregulluar mirëjetesën e tyre me strehim dhe me punë, me dëshirën e tyre nuk kanë shkuar në vend banimin e më parshëm, por kanë qëndruar duke u pasaportizuar si gjithë qytetarë e tjerë në vendin ku kanë qenë t’internuar. Kështu duke mos u larguar nga vendi i internimit personat e liruar dhe duke u internuar persona të tjerë, çështja e strehimit të tyre në të gjitha vendet ku mbahen t’internuar, sidomos në Lushnje, në Fier, në fermën e Borshit dhe të Thumanës, është bërë e vështirë.
Për mungesë strehimi nuk është vënë akoma në zbatim vendimi i komisionit për internimin e 132 personave nga qyteti i Tiranës, të gjithë pjestarë të familjeve me përbërje të keqe politike në të kaluarën dhe me aktivitet aktual armiqësor. Për këta persona që nuk janë internuar akoma dhe për t’internuar të tjerë nga qyteti i Tiranës të kësaj kategorie, do të shikohet për tua kthyer masën e internimit në dëbim.
Gjithashtu nga ana e jonë do të analizohet përsëri problemi i t’internuarve dhe do t’i propozohet komisionit për tua hequr masën, ose për tua kthyer nga internimi në dëbim, personave që mbajnë qëndrim të mirë, që u ka bërë efekt masa e internimit dhe që nuk paraqesin rezikshmëri aktuale.
MINISTRI I P.TË BRENDËSHME
GJENERAL LEITNANT
(KADRI HAZBIU)
(vula, firma)
Mejtoj se midis 1103 të internuarve, një pjesë e mirë (reth 1/3) mund të lirohet dhe të frenohet gjer në minimum internimi. Kam përshtypjen që M. B. e ka gjetur më të lehtë t’i internojë të dyshimtët se sa të vërtetojë fajësinë e tyre ligjore ose t’i riedukojë.
Ata që mbeten si të internuar, brënda 1964-1965 të installohen definitivisht në vëndet ku janë sot, me punë dhe duke u a bërë ne shtëpitë nëpër koop. bujqësore (t’u japim kredi, rreth 50 milion) e në ferma – duke i liruar por t’i detyrojmë të banojnë atje ku janë (pasaportizimi është në duartë tona). Të mbeten me regjim internimi vetëm ata të Zvënecit e disa pakë të tjerë (rreth 50 vetë).
Mehmeti /Burimi: Kujto.al/