Të paktën 1225 punonjës të Policisë së Shtetit, kanë si “punë të dytë” atë të informatorit për Sherbimin Informativ Shtetëros (SHISH). ShkodraWeb ka siguruar një dokument me 175 faqe, ku jepen të dhënat e këtyre punonjësve të Policisë së Shtetit që paguhen edhe si informatorë të SHISH- it.
Ajo që konstatohet, është se numri më i madh i punonjësve të policisë që raportojnë në SHISH, janë të sektorit të qarkullimit rrugor. Në jo pak raste, konstatohen si informatorë edhe drejtues apo ish- drejtues të lartë të strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor.
Përveç punonjësve të policisë me uniformë, edhe ata që konsiderohen civilë në radhët e Policisë së Shtetit, rezultojnë si informatorë. Strkturat e SHISH- ut janë futur në të gjitha nivelet e policisë.
Një numër jo të vogël informatorësh të SHISH- it nga radhët e Policisë së Shtetit, ka edhe Shkodra si qark por edhe si bashki. Në dokumentin e siguruar nga ShkodraWeb, jepen të dhëna sensistive dhe për këtë arsye, nuk mund të publikohen.
Bie në sy se një pjesë e efektivëve të rekrutuar nga SHISH, mund të kenë arritur moshën e pensionit apo edhe kanë emigruar. Nuk është e qartë nëse vijojnë akoma bashkëpunimin me SHISH- in.
Mësohet se ky dokument, siç edhe shumë të tjerë, janë marrë nga hakerat iranian përmes futjes në sistemet shtetërore. Në ditëtë në vijim, është paralajmëruar publikimi i dokumenteve të tjera, lidhur me informatorë të SHISH- it në sistemin e drejtësisë si gjykata e prokurori por edhe në media. /ShkodraWeb/