Donald Trump raportohet se ka fituar zgjedhjet presidenciale duke u rikthyer kështu pas 4 vitesh në Shtëpinë e Bardhë. Sipas CBS News, Trump ka fituar Wisconsin dhe bashkë me të edhe zgjedhjet në SHBA.
CBS ka projektuar se Wisconsin, një shtet tjetër i luhatshëm ka shkuar tek Donald Trump, që do të thotë se ai ka tashmë 276 votat e nevojshme të kolegjit elektoral, më shumë se 270 që nevojiten për të fituar garën e përgjithshme.
Si rezultat, Trump tani parashikohet të ketë fituar presidencën dhe do të rihyjë në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të i Amerikës.
Donald Trump ka fituar shtet kyç si Georgia, Karolina e Veriut dhe Pensilvania, sipas projeksioneve.
Donald Trump do të jetë presidenti i parë që do të shërbejë dy mandate jo të njëpasnjëshme që nga Grover Cleveland në 1892 dhe vetëm i dyti në histori.
Ai u zgjodh për herë të parë president në vitin 2016, duke mposhtur ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.
Trump humbi garën përballë Presidentit Joe Biden në vitin 2020 gjatë pandemisë globale të koronavirusit, por rikandidoi për Shtëpinë e Bardhë në 2024 pas një fushate gati dy-vjeçare, duke u zotuar “Ta bëjmë Amerikën të Madhe edhe një herë”.