Tonin Dedaj pritet të jetë zëvendëskryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës. Burime jo zyrtare pranë Bashkisë së Shkodrës, bëjnë me dije se Dedaj do të marrë zyrtarisht detyrën ditën e neserme.
Tonin Dedaj, aktualisht administrator i Njësisë Administrative Rrethina, është një figurë e njohur në administrimin e pushtetit vendor por edhe në strukturat e Partisë Demokratike.
I diplomuar për Gjuhë- Letërsi dhe Drejtësi, ai ka mbuluar disa pozicione drejtuese në administratën shtetërore. Po ashtu, ai ka qenë këshilltar dhe kryetar i grupit të Këshilltarëve të PD- së në Rrethina, ndërsa në vitin 2003, ka kandiduar edhe për kryetar të ish- Komunës Rrethina.
Në detyrën e administratorit të NJA Rrethina, Tonin Dedaj është vlerësuar edhe përmes rrjeteve sociale, për përkushtimin e tij, komunikimin me banorët, përfaqësimin dhe mbështetjen në çdo nevojë.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, si kryetar i Grupseksionit të PD- së në Rrethina, pavarësisht vështirësive që tashmë dihen, bashkë me strukturat që drejton, morën mbi 42% të votave, duke e rikthyer PD- në në fituese të padiskutueshme.
Prezantimi i Tonin Dedaj si zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, pritet të bëhet ditën e nesërme (e merkurë), që do të jetë edhe dita e parë në detyrën e re. Dedaj zëvendëson në këtë post të rëndësishëm në qeverisjen vendore Arben Gjuraj.