Kryeministri Edi Rama reagon për herë parë pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. Me disa postime të njëpasnjëeshme në rrjete sociale, Rama shprehet se “shehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme”. Po ashtu, kryeministri e konsideron “genjeshtar” teksa i kujton se “një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar”. Nisur nga ky fakt, Rama hedh edhe idenë tjetër duke u shprehur se “është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur”. Por është e qartë se qëllimi kryesor i kreut të mazhorancës është marrja në mbrojtje publike e Valdrin Pjetrit, duke u shprehur se “Valdrin Pjetri nuk është k.riminel”. Më poshtë, postimet e plota të Edi Ramës.
Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!
Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!
Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.
Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.