Filip Vila, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik në Bashkinë e Shkodrës ka dhënë dorëheqjen nga detyra që e mbante prej rreth 7 viteve.
Vendimin e tij, Vila ia ka bërë të njohur kryebashkiakut Bardh Spahia. Ndërkohë, ai ia ka bërë të ditur para disa ditëve vendimin e tij stafit të drejtorisë por edhe partnerëve të tjerë vendas e të huaj me të cilët Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik në Bashkinë Shkodër ka bashkëpunuar.
Gjatë viteve të angazhimit të tij në pozicionin e drejtorit të Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik, Vila ngriti një rrjet të qendrave komunitare “Për Familjen”, arriti të thithë investime të donatorëve vendas e të huaj, duke rikthyer në funksion publik shumë godina të amortizuara deri në shkatërrim.
Mësohet se pas dorëheqjes nga detyra në bashki, Filip Vila do të nisë një rrugëtim tjetër, në të njëjtën linjë por tashmë si pjesë e një fondacioni të njohur për aktivitetin e tij social.
Në ditët në vijim, pritet të emërohet edhe pasuesi i Vilës në pozicionin e rëndësishëm dhe me impakt direkt social në mijëra familje në bashkinë e Shkodrës.