Avokati mbrojtës i Thoma Gëllçit, Dorian Matlija thotë se SPAK po e heton ish-drejtorin e përgjithshëm të RTSH, jashtë kompetencës dhe synimi është pengimi i tij për të rikandidur për postin.
“Kjo nuk ka aspak lidhje me përzgjedhjen e fituesit dhe për më keq akuzat për shpërdorim të detyrës nuk janë fare në kompetencën e SPAK, por të Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Kjo përfshirje e beftë në hetim e Thoma Gëllçit, qartësisht jashtë kompetencës dhe pa lidhje me vetë procedurat e tenderit, duket se interferon me dëshirën e Thoma Gëllçit për të kandiduar për garën e re për postin e Drejtorit të Përgjithshëm që nuk është shpallur ende që muaji Maj 2021”, u shpreh Matlija.
Avokati pretendon se akuza ndaj tij është ajo e shpërdorimit të detyrës, për çështje që nuk kanë të bëjnë me tenderin e pajisjeve, por kane te bëjnë me kohën e dorëzimit të mallrave.
“Hetimi nuk ka lidhje me ndonjë problem licencimi nga AMA. Këtu bëhet fjale për një tender pajisjesh. Kallëzimi është bërë nga një shoqëri tregtare që u s’kualifikua nga gara, e cila u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik dhe në Gjykatën Administrative, por ankesa e shoqërisë tregtare nuk është pranuar nga këto instanca. Akuza në thelb nuk ka lidhje me veprimtarinë e Thoma Gëllçit si Drejtor i Përgjithshëm në atë kohë.”
Sipas Matlija, Gëllçi nuk e ka ditur se është nën hetim.
“Hetimi është zhvilluar vetëm ndaj komisionit të vlerësimit të ofertave. Thoma Gëllçi nuk ka pasur dijeni për ndonjë hetim ndaj tij sepse është bërë pjesë e hetimit në shtator 2021 pasi është larguar nga detyra. Edhe sot, nuk ka ndonjë akuze ndaj tij për procedurat e këtij tenderi.”
Duke iu rikthyer edhe një herë pretendimet se hetimi i Gëllçit lidhet me ambicien e tij për të rimarrë drejtimin e RTSH, Matlijathekson se Gëllçi ka nisur një gjyq në Gjykatën Administrative për të detyruar RTSH të hapë garën, por në kushtet e sotme, nën hetim, ai mund të përjashtohet nga gara.