Familja e Pashko Ujkës, ish-deputetit që u vra më 29 Nëntor 2021 në Shkodër ka vendosur që të japë shpërblim prej 25 mijë euro për këdo që jep informacione rreth autorit të ngjarjes.
Vajza e të ndjerit Ledisia Ujka thotë se kanë vendosur numrin e tyre personal dhe jo të policisë për arsye se nuk kanë besim. Sipas saj, policia i ka thënë se “ngjarja në shtet është e zgjidhur”.
“Ne kemi vendosur shumën si familje dhe ofrojmë 25 mijë Euro për çdo persona që ka fakte konkrete dhe prova për të gjetur vrasësin e babit tim. Këto lekë janë lekë që shkojnë për shpirt të tij, për gjak të tij sepse ai ka punuar gjithë jetën dhe ne do bëjmë të pamundurën që të vendoset drejtësia për të. Kemi vendosur numrin tonë sepse ne nuk kemi besim te policia. Policia na ka thënë që 99%, pas 2 javëve, ngjarja në shtet është e zgjidhur”, tha vajza në një intervistë për emisionin “Uniko”.
Kjo histori duket se do të marrë një tjetër drejtim, pasi Ledisia Ujka ka theksuar gjithashtu se dosjen e vrasjes së Pashko Ujkës do ta hapin edhe në Itali për arsye se ish-deputeti ka patur nënshtetësi italiane.
“Me prova, me gjëra çfarë kemi mbledhur, me gjithçka çfarë ne dimë dhe çfarë kemi gjetur. Me shtete të tjera sepse do angazhojmë edhe shtetin italian sepse ai kishte nënshtetësi italiane. Edhe në shtetin amerikan meqë kemi parë që autoritetet e Shqipërisë, si policia, si prokuroria, si gjykata, askush nuk ka bërë asnjë gjë për të zbardhur këtë ngjarje. Ne kemi marrë të gjithë dosjen me provat për vrasjen e babit tim dhe e kemi dërguar për ta përkthyer dhe pastaj do të hapet si dosje dhe në Itali, në prokurorinë e Italisë”, u shpreh vajza.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi dy të dyshuar, por më pas rezultoi se ditën kur ndodhi krimi ata ishin në Kosovë. Ne deshmine e tyre Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola janë shprehur për policinë se mbrëmjen e ngjarjes kanë qenë në Kosovë. Kelmendi shprehet se Kola e ka ftuar që të shkojnë në Kosovë për të blerë veshje.
Kelmendi tregon se në Kosovë ka qenë dhe babai i tij, e me këtë rast ka shkuar dhe e ka takuar. Të dy të arrestuarit tregojnë se janë ndaluar nga policia në momentin që kanë qenë duke u kthyer në Shqipëri.
Kristjan Kelmendi tregon gjithashtu se me djalin e Pashko Ujkës ka pasur miqësi. Më tej ai shton se ish-deputeti i ka kërkuar babait të Kelmendit 20 mijë eurot për shtëpinë që ia kishte shitur 11 vite më parë, por ajo bisedë ishte mbyllur.