Mashtrimi me vlera të mëdha monetare është një fenomen tronditës në Shqipëri, ku njerëz të maskuar me biznese, arrijnë të përvetësojnë padrejtësisht miliona euro. I tillë është rasti i biznesmenit Lefter Sulkaj dhe dy vëllezërve të tij Përparim dhe Ilmi Sulkaj, të gjithë pronarë të Spitalit Gjerman në Tiranë, të cilët kanë arritur të fundosin dy qytetarë, duke u zhvatur miliona euro.
Boldnews.al ka mësuar metodat e mashtrimit të vëllezërve Sulkaj, nëpërmjet një kallëzimi të bërë në datën 09.05.2017, në Prokurorinë e Tiranës ndaj biznesmenit Lefter Sulkaj. Kallëzuesi (emrin nuk e publikojmë për arsye etike) ka rënë pre e mashtrimit nga Lefter Sulkaj dhe një bankë e Nivelit të Dytë në Tiranë. Sipas kallëzimit të referuar në prokurori, 4 punonjëset e bankës së Nivelit të Dytë, me incialet A.B, V.G, V.D dhe E.K i kanë kërkuar një shtetasi që të depozitojë në llogarinë e biznesmenit Lefter Sulkaj 1 milion euro. E gjithë skema ka ndodhur në datë 09.12.2016, ku punonjësja e bankës me incialet A.B, e ka kontaktuar në telefon shtetasin që të paraqitej me urgjencë pranë degës së tyre, për të kryer një transfertë për aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkajn.
Me të mbërritur në bankë, shtetasi (kallëzues kundër Lefter Sulkaj) është njohur me kërkesën e punonjësve të bankës së Nivelit të Dytë, të cilat i kanë dalë garant për të kryer një transfertë parash për Spitalin Gjerman, që është në pronësi të vëllezërve Sulkaj. Sipas kësaj marrëveshje, ku garant ishte edhe banka, njëri nga aksionerët e spitalit, Lefter Sulkaj do t’i kthente paratë brenda 2 ditëve.
Për tu siguruar, shtetasi i cili ishte i shoqëruar edhe nga një person tjetër (në cilësinë e dëshmitarit), ka takuar një tjetër punonjëse të bankës me inicialet V.G. Kjo e fundit i ka kërkuar të njëjtën gjë, që të transferojë një shumë parash për Spitalin Gjerman për dy ditë, dhe pastaj do t’i rikthehen. “Duke qenë në llogaritë e tua, na ndihmo të plotësojmë shumën e depozituar në favor të Spitalit Gjerman” – i është drejtuar punonjësja e bankës V.G, duke i dalë garant se Lefter Sulkaj bënte transferta të mëdha parash dhe se nuk i kishte problem t’i rikthente.
Punonjësja e bankës V.G i ka kërkuar kallzuesit, që të njihej edhe me aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj. “Na i jep këto lekë, sepse sot e kemi të pamundur t’i gjejmë, por ditën e hënë nuk e kemi problem për 2-3 fishin e tyre.” – i ka thënë Sulkaj, kallzuesit.
Pas kësaj, shtetasi ka pranuar të bëjë këtë transfertë por është shprehur që nuk ka 1 milion euro në gjendje, por vetëm 300 mijë euro dhe 41.000.000 lek. Derdhja e kësaj shume në llogari të Spitalit Gjerman është bërë me një mandat me shënimin “Dhënie huaje deri më datë 12.12.2016.”. E gjithë ngjarja ka qenë e filmuar nga kamerat e sigurisë, por skandali thellohet edhe më tej pasi në hetimet e organit të akuzës, pamjet filmike janë fshirë vetëm në këtë ditë (09.12.2016).
Sipas marrëveshjes të bërë, kallëzuesi është paraqitur pas dy ditësh në bankë për të kontrolluar llogarinë, por ende nuk ishin kthyer nga Lefter Sulkaj. Dy punonjëset e bankës me inicialet A.B dhe V.G, që dolën garant për këtë derdhje parash, i kanë shprehur kallzuesit se Spitali Gjerman po pret aprovimin e një kredie tek banka “Intesa San Paolo”. Sipas hetimeve të prokurorisë, ky ishte një tjetër mashtrim, pasi Lefter Sulkaj bashkë me vëllezërit e tij rezultonin debitor me shuma të mëdha kredie të pashlyer pranë kësaj banke.
Në datë 14.12.2016 dhe 15.12.2016, Lefter Sulkaj i ka kthyer kallzuesit vetëm 30 mijë euro dhe 11.000.000 lekë, ndërsa i detyrohej edhe 270 mijë euro si dhe 30.000.000 lek. Kallëzuesi ka shpjeguar se në vijim ka kontaktuar disa herë Lefter Sulkajn dhe vëllain e tij Përparim Sulkaj por ende nuk është bërë kthimi i shumës së mbetur. I gjendur përballë këtij fakti, shtetasi ka depozituar një kallzim penal ndaj aksionerit të Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj dhe punonjësve të bankës së Nivelit të Dytë, pasi në mirëbesim i kanë zhvatur atij një shumë të madhe parash për të mos ia kthyer më.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet duke marrë në pyetje punonjëset e bankës, të cilat kanë mohuar se kanë ndikuar tek kallzuesi për të derdhur shumën në llogarinë e Spitalit Gjerman. Gjithashtu në pyetje është marrë edhe Lefter Sulkaj, i cili fundos pretendimin e punonjësve të bankës, pasi sipas tij, kallëzuesin e ka njohur pikërisht nga këto punonjëse banke. Sulkaj shprehet se e njeh detyrimin ndaj kallzuesit por për momentin nuk ka mundësi financiare që t’ia shlyejë.
Rasti i dytë i mashtrimit me godinën e Spitalit Gjerman
Një tjetër kallëzim ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, më datë 28.04.2017, ku një shtetas (sërish nuk e bëjmë publike për arsye etike) ka akuzuar për mashtrim të tre vëllezërit Sulkaj, Lefter, Përparim dhe Ilmi. Sipas kallëzuesit, të tre këta biznesmen, kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe nëpërmjet mashtrimit truallin ku është ndërtuar Spitali Gjerman, i pozicionuar pranë Kishës Ortodokse, tek Rruga e Kavajës.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në vitet 2003-2004, ku shtetasi Lefter Sulkaj ka marrë përsipër ndërtimin e një godine 9 + 2 kate (aty ku është sot Spitali Gjerman), mbi 709 m2 truall, në pronësi të kallëzuesit. Sipas kontratës së sipërmarrjes, shtetasi do të merrete një fitim prej 1.085.000 milion dollarë nga shitja e apartamenteve dhe njësive tregtare.
Por vëllezërit Sulkaj, i kanë kërkuar kallëzuesit që ti përdornin për bizneset e tyre dhe t’ia rikthenin pak më vonë. Pas kalimit të periudhe një kohe prej disa vitesh, kallëzuesi iu ka kërkuar vëllezërve Lefter, Përparim dhe Ilmi Sulkaj për t’ia kthenin shumën e parave, por biznesmenët nuk ia kanë dhënë me pretendimin se ishin në pamundësi financiare për ta likujduar.
Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, vëllezërit Sulkaj kanë mashtruar për pamundësi financiare, pasi ndër vite ata kanë kryer investime me shuma më të mëdha sesa detyrimi që i kishin kallëzuesit (1.085.000 milion dollarë).
Gjykata e Apelit vendos nesër për Lefter Sulkajn
Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, Flutur Skënderi dhe Evgjeni Sionimeri pritet të vendosin nesër (16.08.2017) për masën e sigurisë së Lefter Sulkaj. Prokuroria e Tiranës, në bazë të dy kallzimeve të sipërpërmendura, kishte kërkuar “Arrest me burg” për aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkajn, pasi ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale 143/2 të Kodit Penal, e që parashikohet një dënim nga 10 deri në 20 vjet burg.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi më datë 27.07.2017 si masë sigurie “Arrest me burg” për biznesmenin Lefter Sulkaj. Por ky i fundit, kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, pasi pretendon se kjo është një çështje civile dhe për momentin nuk ka likuiditet në shlyerjen e detyrimit prej rreth 2 milion euro që ka ndaj dy kallëzuesve. Pasi shqyrtoi kërkesën e Lefter Sulkaj, i njëjti institucion, pra Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë (me një tjetër gjykatës) rrëzon organin e akuzës duke ndryshuar më 06.08.2017 masën e sigurisë për biznesmenin nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.
Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës nëpërmjet një ankimimi i kërkon Gjykatës së Apelit që të rrëzojë masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, duke rikthyer sërish në burg biznesmenin nga Berati, Lefter Sulkaj. Sipas ankimimit, provat që janë paraqitur në gjykatë kurrësesi nuk mund të ndryshonin masën e sigurisë duke nxjerrë nga qelia aksionerin e “Spitalit Gjerman”.
Mbetet për tu parë tashmë vendimi i Gjykatës së Apelit ditën e nesërme (16.08.2017), nëse do të favorizojë ose jo biznesmenin e akuzuar për mashtrim Lefter Sulkajn./joq.al/