Merr fund faza hetimore në ngarkim të Saimir Tahirit. Prokuroria ka përfunduar hetimet lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit në afera me grupin ‘Habilaj’. Raportohet se tashme eshte dërguar në gjykatë për vlerësim dosja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe 3 ish-zyrtarëve të policisë, Jaeld Cela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila.
Avokati i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Petrit Ismaili, është në gjykatë duke u njohur me akuzat. Kujtojme se Tahiri dhe tre ish-zyrtarët akuzohen se kanë mbështetur aktivitetin kriminal të grupit Habilaj ne trafikun e droges. Grup, i cili u shkatërrua nga autoritete italiane, pas një hetimi 2 mujor.
Ish zyrtari i lartë, është thirrur për t’u paraqitur nesër me 28 shkurt ora 13:00 për t’u njohur me akuzat zyrtare të Prokurorisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda më 11 shkurt vendosi të pranojë kërkesën e tij për mos zgjatjen më të hetimeve, duke iu lënë prokurorëve afat të përfundonin hetimet deri më datë 10 mars. Por me sa duket hetimet janë mbyllur më herët.
Më 17 Janar të këtij viti, organi i akuzës njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigja me sa duket ka ardhur dhe dosja është dërguar për gjykim.