Revolta e Spaçit u organizua nga të burgosurit e këtij burgu në datat 21-23 maj 1973. Kjo revoltë është një nga simbolet më të forta të qëndresës kundër regjimit komunist. Kjo ngjarje është trajtuar gjerësisht pas rënies së sistemit komunist. Po ashtu, edhe dëshmitë e ish të burgosurve janë të shumta. Gjithsesi, trajtimi asnjëherë nuk është shterues dhe i plotë, pa u ballafaquar me një dokumentacion të gjerë arkivor. Dhe arkivat suprizojnë hera-herës. Në këtë kontekst, për hartimin e këtij shkrimi janë përdorur dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit që administrohen nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura deri tani. Në këtë dosje “Të objektit të rëndësisë së veçantë – Reparti 303 Spaç”, ndër të tjera hidhet dritë mbi historikun e burgut qysh prej krijimit e deri në mbylljen tij, revoltën, organizimin, protagonistët kryesorë të saj, numri i të burgosurve ndër vite, puna që ata kryenin si dhe mbi rolin e Sigurimit të Shtetit në burg etj. Trajtimi i mëposhtëm do të rrokë gjithë këto fusha, duke tentuar të japë një tablo sa më të qartë historike si mbi ngjarjen në veçanti, ashtu edhe mbi burgun e Spaçit në përgjithësi.
Historiku i Repartit 303
Reparti i Riedukimit Nr. 303 u vendos në Spaç të Mirditës në vitin 1968. Por, historia e këtij reparti riedukimi zë fill qysh më 25 maj 1951, kur me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme u krijua Kampi Nr. 2, i cili më pas do të quhej Reparti 303.
Në vitet 1951-1968, ky repart riedukimi shërbeu si një repart pune “lëvizës”. Ai e filloi punën në Peqin, ku të dënuarit punuan në hapjen e kanalit Peqin-Kavajë. Pasi mbaruan punimet në sektorin e Peqinit, kampi u zhvendos në Rrogozhinë dhe më pas në Harizaj, Lekaj, Gosë, Kavajë dhe në fund në fshatin Çengelaj të Peqinit, ku po ndërtohej diga që do të kthente ujin e Shkumbinit në kanalin vaditës. Punimet e kanalit vaditës Peqin-Kavajë filluan më 27 maj 1951 dhe përfunduan në nëntor 1952. Më pas, deri në mars 1953 reparti mori pjesë në ndërtimin e fushës së aviacionit në Urën Vajgurore, duke i ardhur në ndihmë Kampit Nr. 1. Pastaj reparti transferohet në Vlashuk, pranë Kuçovës, për të marrë pjesë në punimet e kanalit vaditës Devoll-Thanë, duke hapur rreth 8 km nga ky kanal. Në vazhdim, kampi i transferua në Shtyllas të Fierit, për të punuar në ndërtimin e kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier, ku punuan deri maj 1955, kur përfunduan edhe punimet. Në qershor 1953, kampi transferohet në Rinas, ku punoi për katër vjet në ndërtimin e aeroportit. Pasi mbaruan punimet e aeroportit të Rinasit, më 8 shkurt 1959 kampi u transferua në Tiranë dhe mori pjesë në ndërtimin e Sanatoriumit, ndërtimin e kombinatit të mishit, peliçerinë, në ndërtimin e disa ndërtesave në fermën Gjergj Dimitrov dhe në një pjesë të punimeve në Uzinën e Traktorëve. Për kryerjen e këtyre punimeve, kampi qëndroi në Tiranë deri në vitin 1963.
Më pas, kampi u transferua në Vlorë, ku mori pjesë në ndërtimin e Uzinës së Sodës Kaustike. Në vitin 1965 kampi u dërgua në Elbasan, ku mori pjesë në ndërtimin e fabrikës së çimentos. Në fund, pas një kalvari të gjatë punimesh në gjithë këto fronte të vështira pune, në vitin 1968 kampi u dërgua pranë minierës së piriteve në Spaç, ku u krijua Reparti i Riedukimit 303.
Revolta
Dita e parë e revoltës filloi si një ditë e zaknoshme. Sipas rregullores, në mëngjesin e 21 majit 1973, nënoficeri i shërbimit shkoi për t’u hequr batanijet të burgosurve që ishin në dhomat e izolimit, të cilët ishin ndëshkuar nga komanda e burgut. I tillë ishte edhe Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940, nga Rrushkulli i Durrësit, dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Sipas relacionit Nr. 205 “Mbi një ngjarje të rëndë të jashtëzakonshme shkaktuar nga të dënuarit Repartit 303”, datë 26.V.1973, i komandës së burgut të Spaçit, Pali ishte “ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dinimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart”. Në orën 05.00 të datës 21 maj, nënoficeri i rojës hapi derën dhe tentoi të marrë batanijen. Pali doli nga dhoma dhe u bashkua me turmën e të burgosurve të tjerë që ishin në oborr dhe refuzoi të kthehet në izolim. Pali kishte hipur në tarracë, mbante një shufër hekuri rreth 2 metër në dorë dhe nuk lejonte njeri t’i afrohej. Në orën 06.30, rojet i bënë atij thirrje të kthehet në dhomën e izolimit, por Pali vazhdonte të refuzonte. Në kohën që rojet ju hodhën Pal Zefit për ta arrestuar, ai qëlloi me hekur të dënuarin M.N, i cili ndërhyri për të ndihmuar policët dhe oficerin. Policët arritën të arrestojnë Palin, por atij i shkuan në ndihmë bashkëvuajtësit Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Iba, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulë Veshi etj. dhe u përleshen me policët për rreth pesë minuta. Të dënuarit e tjerë të acaruar, filluan të mblidhen në vendngjarje dhe policët të trembur nga përmasat që mori ngjarja u tërhoqën duke dalë jashtë kampit. Komanda tentoi të marrë kontakt me të burgosurit e rebeluar, për të qetësuar situatën, por nuk pati rezultat.
Në orën 15.30 mbërriti në vendngjarje grupi operativ-hetimor dhe, nën drejtimin e tyre u bë arrestimi i Pal Zefit. Mbas tij u arrestua edhe Syrja Lame, i cili u dërgua në dhomën e izolimit. Kur grupi operativ kërkoi të arrestojë Pavllo Popen dhe po e shoqëronin për në dhomën e izolimit, Pavllo u iku policëve dhe u fut mes turmës së të dënuarve, të cilët e morën menjëherë në mbrojtje, duke hedhur parrulla si “ja vdekje ja liri”, “nuk punojmë në galeri”, “ju jeni katila” etj. Rreth orës 21.00 të burgosurit thyen birucat dhe nxorën jashtë të izoluarit. Ndonëse rojet hapën zjarr paralajmërues në ajër, të burgosurit nuk u tërhoqën dhe e përfunduan aksionin. Më tej, të burgosurit tentuan të shkelnin zonën e ndaluar dhe të thyenin zyrat teknike që ishin në kamp. Po ashtu, ata “bënin thirrje për vrasjen e disa të dënuarve që mbajtën qëndrim pozitiv dhe që u erdhën në ndihmë personelit të shërbimit nga të cilët ishin edhe bashkëpunëtor të organeve tona, sa që u ndeshën me agresorët”, shkruhet në një dokument të Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, hartuar për ngjarjen më 23 maj 1973.
Të burgosurit u grumbulluan në tarracë e në sheshin para pallatit, ku disa prej tyre, si Skënder Dajo, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta mbanin fjalime dhe recitonin poezi me përmbajtje antikomuniste.
Të ndodhur para këtyre rrethanave, komanda e kampit mori masa ta rrepta, me qëllim që të burgosurit të mos shpërthenin kampin. Rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 22 maj, në kamp mbërriti zv/Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu. Pasi zbardhi dita, rojet vunë re se, në katin e tretë të pallatit të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, shqiponjën mbi flamur e kishte bërë Mersin Vlashi. Flamurin e kishte ngritur Gjet Kadeli, Rexhep Lazri dhe Murat Marta. Ndrec Çoku bënte roje të flamuri.
Në orën 08.00 Feçorr Shehu ju bën thirrje të burgosurve t’i rikthehen normalitetit, por pa rezultat. Organizimin e të burgosurve brenda kampit e dëshmon një raport i hartuar nga bashkëpunëtori “Zjarri”. Ai raportonte se në datën 22 maj, rreth orës 12.00 në mensën e burgut ishte mbajtur një mbledhje, e cila quhej “Mbledhja e Këshillave Krahinorë”. Në këtë mbledhje merrnin pjesë të dënuar nga thuajse nga gjithë krahinat që vinin të burgosurit. Më mbledhje u vendos: “1) Të këshillohen personat që nuk marrin pjesë në mbledhje që të qëndrojnë të vendosur në revoltën që filluam. 2) Të thuhet që revolta lindi e rastit, shkaktar ishin operativi me nënoficerët që lidhën Palin. 3) Të mos pranonte asnjë i dënuar të futej në galeri. 4) të dërmonin personelin e mbrapavijës. 5) në kohën kur pranuan të takoheshin me komisarin e repartit 303, të thoshte Pavlini (Vata – shën. im) me Koçon(?) se ne na kanë dërguar të dënuarit që të transmetojmë fjalët tuaja me të dënuarit dhe jo të përzihemi me politikë”.
Ndonëse revolta kishte filluar spontanisht, nga ky raport, por edhe nga intensiteti i veprimeve gjatë ditës, u pa qartë që ajo kishte kaluar në një fazë tjetër, më të organizuar dhe me një karakter më të theksuar politik. Një përfaqësi e përbërë nga tre të burgosur u takua me Feçorr Shehun. Ata kërkuan të mos dënohej asnjë fajtor, të mos punohej më në minierë, por në ndërtim dhe të bëhej një amnisti: “Që kur u prishët me B.S. nuk keni bërë (asnjë amnisti- shën. im), sepse jemi dënuar padrejtëisisht”, i thanë ata Feçorr Shehut. Madje, Hajri Pashaj u shpreh me fjalë fyese kundër Partisë dhe pushtetit si edhe kundër vetë Feçorr Shehut, duke i thënë: “ju është ngushtuar rrethi së shpejti do të vijnë në vendin tonë për të dhënë llogari”.
Si rezultat i masave të marra, duke e rrethuar kampin me forca të mëdha policie dhe ushtrie, duke ushtruar një presion të madh psikologjik te të burgosurit, por pa përdorur armët e zjarrit drejtpërdrejt mbi ta, në orën 09.00 të datës 23 maj, pas afro 52 orësh, të dënuarit pranuan kushtet e vëna nga komanda dhe nuk kundërshtuan kur forcat policore dhe ato të gardës hynë brenda kampit. Sigurisht që përballë kësaj force, të burgosurit nuk kishin asnjë shans të vetëm. Qëndresë organizuan vetëm Dashnor Kazazi, Skënder Dajo, Jorgo Papa dhe Dervish Bejko, të cilët me hekura e hunj në dorë ju kundërvunë rojeve të armatosur. “Rezistenca e tyre u mposht me dhunë”, shkruhet në raportin e komandës së kampit për ngjarjen.
Revolta e Spaçit e organizuar nga të burgosurit politikë ishte e orientuar qartë kundër regjimit komunist. Nëse forcat e policisë dhe të ushtrisë që ruanin kampin do të lëkundeshin, sipas planit, të burgosurit do të tentonin të thyenin kampin dhe të arratiseshin. Nëse kjo nuk arrihej, atëherë revolta synonte që, me anë të presionit, të realizonte disa kërkesa që kishin të burgosurit. Në këndvështrimin e Sigurimit të Shtetit, revolta ishte spontane, por mendimi për të ngritur krye ishte kultivuar me kalimin e kohës te të burgosurit. Kjo gjë ishte favorizuar edhe nga njëfarë tendence liberale të togave policore dhe ushtarake që ruanin kampin. Ky qëndrim u kritikua shumë pas revoltës, sepse pavarësisht se këta “armiq” ishin të izoluar në burg dhe nuk mund të ndikonin me veprimtarinë e tyre qytetarët e tjerë, “sjellja dhe veprimtaria armiqësore duhej të luftohej njësoj kudo dhe kurdoherë”, sepse për ta ligji nuk bënte dallime për vendin se ku bëhej shkelja ligjore.
Këtë frymë e ilustron më së miri një informacion i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, i cili më 23 maj 1973 informonte komandën e Burgut për ekzistencën e disa partive politike në burgun e Spaçit. Kësisoj, ai njoftonte se në burg ekzistonte Organizata e Ballit Kombëtar, Partia Revizioniste, Partia Socialdemokrate dhe Partia Zogiste. Nëse shikojmë përbërjen e tyre, vërehet se aktiviteti i tyre ishte nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit ose të paktën, Sigurimi kishte dijeni për ekzistencën, anëtarët dhe veprimtarinë e tyre. Pas revoltës, Sigurimi mori masa që numri i bashkëpunëtorëve brenda radhëve të këtyre Partive të rritej. Më tej, Zv/kryetari i Degës së Punëve të Brendshme informonte eprorin e tij “për tu orientuar më mirë gjatë procesit hetimor” se, në vitin 1972, sipas të dhënave të bashkëpunëtorit “Osumi”, në burg ishte krijuar edhe një organizatë me emrin “Rezistenca Ushtarake” me në krye Osman Kazazin, si komandant i forcave, me gradën Gjeneral.
Vlerësuar në këtë kontekst, një nga arsyet që efektivat e ruajtjes së kampit nuk përdorën dhunën dhe armët për shuarjen e revoltës ishte edhe kontrollimi i situatës,si pasojë e raportimeve nga brenda. Më tej, sistemi ishte i interesuar në krahun e tyre të punës dhe nuk kishte interes të vriste në masë të burgosurit. Është logjike të mendosh se, regjimi u mundua ta mbyllte këtë ngjarje pa shumë bujë, sepse nuk i interesonte kjo gjë. Sigurisht që për të ishte e mundur ta shtypte shumë lehtë me forcën e armëve revoltën. Këtë gjë e dinin edhe të burgosurit.
Pas revoltës
Menjëherë u morën masa kundër rebelimit. U arrestuan menjëherë 68 të dënuar. 12 prej tyre u gjykuan dhe u dënuan qysh në datën 24 maj nga Kolegji i Gjykatës së Lartë. Brenda 24 orësh katër u dënuan me pushkatim të menjëhershëm dhe tetë të tjerë u dënuan me 25 vjet heqje lirie. Sipas relacionit të Komandës së kampit mbi ngjarjen, në revoltë morën pjesë në mënyrë aktive për “djegien e tabelave të emulacionit socialist, ngritje ne flamurit me zhgabë pa yll, shkruarjen e parullave armiqësore dhe afishimin e tyre, si edhe parrulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore” 56 të burgosur, të cilët ishin: Agron Xhelili, Bedri Çoku, Demush Muçaj, Elez Hoxha, Gëzim Medolli, Haxhi Bena, Irakli Sirso, Muho Curri, Nikolla Qafke, Refik Beqo, Skënder Thaçi, Sherif Allamani, Tom Uli, Xhevat Lokja, Fatmir Llagani, Mirash Gjoka, Mersin Vlashi, Abedin Vrioni, Bebi Konomi, Dervish Sula, Fadil Dushku, Gëzim Çela, Hysen Vuçe, Kostandin Papa, Ndrec Çuku, Njazi Bylikbashi, Rexhep Lazri, Selman Çuni, Shefqet Xhena, Uliai Pashallari, Zef Ashta, Jonuz Morja, Naim Fashaj, Mureat Marte, Bashkim Fishta, Çaush Çoku, Demir Pojani, Gramoz Spahia, Naim Uka, Hasan Iba, Merkur babageta, Muharrem dyli, Pal Marku, Stefan Kola, Spiro Nasho, Tomorr Allajbej, Xhaferr Dema, Sulo Veshi, Nuri Stepa, Vladimir Prifti, Tefik Kunsnaku, Muharrem Isufi, Shuaip Brahimi, Qemal Demiri, Tefik Dedi dhe Pavllo Pope. Të gjithë personat e sipërshënuar u dërguan në burgun e Tiranës për të vazhduar hetimet dhe për t’i dënuar. po ashtu, në revoltë morën pjesë edhe të burgosur të tjerë të mbledhur spontanisht.
Me urdhër të Feçorr Shehut nëpërmjet agjenturës së Repartit 303 u morën informacione për organizatorët kryesore të revoltës, për shkaqet e lindjes, pjesëtarët më aktivë në të etj. Informacionet për revoltën u dhanë nga 16 bashkëpunëtorë të Sigurimit: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e Bukur”, « Shigjeta kaltër”, « Bakri”, “Zjarri i Dytë”, « Pushka”, « Libri”, « Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa” dhe “Vullnetari”. Sigurimi kishte një aktivitet të zgjeruar brenda kampit. Një nga drejtuesit kryesorë të “Mbledhjes së Këshillave Krahinorë” që u mbajt gjatë revoltës në mencën e burgut, ishte informator i Sigurimit të Shtetit. Madje edhe një nga përfaqësuesit e të burgosurve që u takuan me Feçorr Shehun, do të bëhej me shtrëngim pas revoltës agjent i Sigurimit të Shtetit.
Në pyetje u morën të gjithë të burgosurit për të parë dhe vlerësuar qëndrimin e tyre ndaj revoltës. Më tej u studiuan materialet operative në ngarkim të të dënuarve, si në fashikullin e përgjithshëm, ashtu edhe në dosjet e përpunimit të të dënuarve. Këto të dhëna që dolën nga studimi, së bashku edhe me denoncimet e bëra nga 63 të dënuar, të cilët implikuan 135 të burgosur, të cilët kishin përgatitur dhe kishin marrë pjesë në revoltën e organizuar. Këto dëshmi u studiuan nga grupi përkatës i sektorit operativ dhe i kaluan më pas hetuesisë, për të dokumentuar veprimtarinë e pjesëmarrësve në revoltë. Qysh në orën 09.00, sapo u mor kampi nën kontroll, u organizua një kontroll i shpejtë dhe u sekuestruan një sërë armësh të ftohta të improvizuara.
Më 29 maj 1973, Sigurimi hartoi një listë me 15 të dënuar që morën pjesë në revoltë dhe që ishin arrestuar, të cilët duhej të tërhiqeshin në bashkëpunim me material shtrëngues. Pesë prej tyre pranuan bashkëpunimin. Njëri prej tyre, me pseudonimin “Libri”, ishte dënuar në vitin 1967 me 25 vjet heqje lirie për tentativë arratisje. Si pjesëmarrës në revoltë rrezikonte të ridënohej. Sigurimi kishte të dhëna se gjatë revoltës, ndër të tjera, ai kishte marrë pjesë edhe në djegien e tabelës së emulacionit. Në vitin 1978 ai u ul nga kategoria “Agjent” në “Informator”. Ulja e kategorisë tregon se punëtori operativ nuk ishte i kënaqur me bashkëpunimin e tij.
Pavarësisht masave të marra nga komanda, në burg nuk kishte qetësi, sidomos kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në shtetin shqiptar, siç ishte për shembull prishja e marrëdhënieve me Kinën. Në vitin 1978 Sigurimi njoftonte Ministrinë e Brendshme se gjendja në burgun e Spaçit ishte e rënduar, madje ishin në prag të një revolte tjetër, të ngjashme me atë të vitit 1973. Revolta shfaqej në formën e rritjes së shprehjes së pakënaqësisë politike, ose siç atëherë quhej agjitacionit dhe propagandës, në sabotimet në punë, në ngritjen e pengesave të shumta për të mos realizuar planin, në rritjen e tentativave për t’u arratisur nga burgu, në kundërshtimin e punës, në presionin e ushtruar ndaj brigadierëve të dënuar për të dhënë dorëheqjen nga detyra etj.
Përveç revoltës së shprehur në këtë formë, të shtyrë nga situata e vështirë që po kalonte regjimi në këtë periudhë – çka sigurisht ndiqej me interes nga të dënuarit – u tentua për ta kaluar revoltën kundër pushtetit në një shkallë sipërore, më të organizuar dhe që do të premtonte më shumë sukses se ajo e vitit 1973. Rolin e organizimit të kësaj revolte duhej ta merrte Organizata Nacionaliste, që ishte krijuar në burg nga Xhelal Koprencka. Sipas mendimit të tij, kjo revoltë duhej të përbënte variantin e dytë të rrëzimit të pushtetit popullor, nëse ai nuk binte nga faktorë të jashtëm.
Kësisoj, nëse do të ishte e nevojshme, do të provokohej një incident me një nga nënoficerët e shërbimit dhe të burgosurit do të shpallnin revoltë politike. Nën parullën “Pa gjak e sakrifica nuk ka liri” do të rezistohej duke luftuar trup me trup deri sa revolta të merrej vesh nga i gjithë populli, i cili në situatën e vështirë që po kalonte do të bashkohej me ta. Revolta nuk do të dështonte sepse, në ndryshim nga ajo e vitit 1973, tani situata politike në Shqipëri ishte e favorshme, revolta kishte një drejtim të pjekur dhe nuk do të lejohej shthurja e saj dhe më këmbëngulje do të rezistohej deri sa të përmbusheshin kërkesat e tyre politike. Po ashtu, shpresohej që kryengritja do të ndihmohej edhe nga jashtë. Përveçse vështirësisë që paraqiste një plan i tillë për t’u realizuar, Sigurimi ishte i mirinformuar nga rrjeti agjenturor dhe më 9 prill 1979, pasi ishin arrestuar Xhelali dhe njëmbëdhjetë përkrahësit e tij, u mbyllën hetimet dhe u përpilua aktakuza. Dosja hetimore kaloi për gjykim në gjykatë. Aktakuza u bazua edhe në dëshmitë e shtatë të dënuarve, që dëshmuan kundër tyre.
Megjithë pamundësinë e realizimit të një plani të tillë, kjo përpjekje është një tregues i qartë i rezistencës dhe luftës kundër regjimit komunist edhe aty, ku ishte e pamundur të ngrije krye, në burg.
Numri i të burgosurve në vite dhe survejimi i tyre nga Sigurimi
Në vitin 1974, pra një vit pas revoltës, në këtë burg ishin rreth 500 të dënuar. Katër vite më vonë, në nëntor të vitit 1978, numri i të burgosurve u rrit në 934 të dënuar politikë dhe 27 të dënuar për krime ordinere. Sigurimi i Shtetit e mbulonte veprimtarinë e tyre me një rrjet agjenturor prej 48 bashkëpunëtorësh, konkretisht 8 agjentë, 29 informatorë, tre rezidentë dhe 6 informatorë që vinin nga radhët e personelit të shërbimi ruajtës të kampit. Ky rrjet agjenturor i ngritur brenda kampit raportonte kryesisht për agjitacionin e propagandën që kryhej brenda kampit nga të burgosurit politikë. Po ashtu, bashkëpunëtorët udhëzoheshin që të ndiqnin me shumë vëmëndje tentativat për arratisje të të burgosurve si edhe të raportonin për dëmet ekonomike që shkaktoheshin nga të burgosurit gjatë punës së detyruar.
Nga vitit 1978 deri në vitin 1980 nuk ka ndonjë rritje të dukshme të numrit të të burgosurve. Numri i të burgosurve politikë qëndron i pandryshuar, 934. Ndërsa numri i të burgosurve politikë bie në 15. Prej tyre ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit në kategorinë 2A (nënkupton që ishte i provuar aktiviteti i tyre armiqësor) 43 të burgosur politikë.
Në pikëpamje numerike ndodhën ndryshime të mëdha në mesvitet 1980. Numri i të burgosurve politike në këtë burg zvogëlohet dhe u rrit ndjeshëm numri i të burgosurve ordinerë. Po ashtu, në vitin 1984, në Gurth-Spaç ishte hapur edhe një burg vetëm me të burgosur ordinerë, nën moshën 25 vjeç dhe të padënuar më parë. Kësisoj, në tetor të vitit 1985, në kamp raportohen 294 të burgosur politikë dhe 685 të burgosur për krime të tjera. Ndërsa në repartin e ngritur rishtas 303/1, në Gurth-Spaç, ishin 34 të burgosur për krime të tjera. Në këtë vit, rrjeti agjenturor i Sigurimit brenda kampit përbëhej nga 17 bashkëpunëtorë nga radhët e të burgosurve politikë dhe nga shtatë të tjerë, që ishin të burgosur ordinerë. Rënia e numrit shpjegohet me zvogëlimin e numrit të të burgosurve, të cilët kryesisht ishin transferuar në burgje të tjera, kishin përfunduar kohën e dënimit ose ishin përjashtuar nga rrjeti agjenturor, si pasojë e mosbashkëpunimit. Siç u theksua qysh në fillim, pjesa më e madhe e tyre ishin kishin pranuar në kushtet e shtrëngimit. Rrejti mbulonte survejimin e10 të burgosurve në kategorinë 2A. Vlen të theksohet se tetë prej tyre ndiqeshin si agjentë të zbulimeve të huaja brenda në burg – çka tregon paranojën e sistemit –, një i burgosur për agjitacion e propagandë dhe një tjetër për organizim. Po ashtu, nga radhët e të dënuarve për krime kundër shtetit kishte edhe të burgosur të tjerë që ishin jashtë përpunimit, por që sipas Sigurimit zhvillonin veprimtari armiqësore. Në ngarkim të tyre kishte materiale të ndara në dy drejtime: për drejtimin e kundërzbulimit 32 të dënuar, nga të cilët 11 për tendencë arratisje dhe 21 për agjitacion e propagandë. Për drejtimin e grupimeve kundërrevolucionare kishte 44 persona. prej tyre tetë të burgosur për tendencë arratisje dhe 57 për agjitacion e propagandë. “Pra, 30% e elementit të dënuar për krime kundër shtetit vazhdojnë të jenë në pozita armiqësore”, shkruhet në një analizë të Komandës së Repartit 303 më 26.10.1985.
Në fundvitin 1985, në repartin 303 Spaç dhe në nënrepartin 303/1 Gurth-Spaç ishin 1223 të burgosur politikë dhe të dënuar për krime ordinere. Nisur nga numri i konsiderueshëm i të burgosurve, komanda shqetësohej sepse me rrjetin aktual të agjenturës e kishte të vështirë të mbulonte veprimtarinë “armiqësore” të të dënuarve dhe e analizonte situatën si më poshtë: “Në qoftë se do të nxjerrim mesataren aritmetike për agjenturën që kontrollon reagimet armiqësore ose veprimtarinë armiqësore që nuk e ka ndërprerë ky element, bashkë me të dënuarit e tjerë ordiner del se 1 bp. duhet të kontrollojë 50 të dënuar dhe në qoftë se e marrim vetëm për të dënuarit ordiner del se 1 bp. duhet të kontrollojë 90 të dënuar, kurse të dënuarit për krime kundër shtetit 1 bp. për 21 të dënuar, çka tregon se raporti është i zhdrejtë dhe aq më tepër se kjo agjenturë është nga radhët e këtij elementi që ka zhvilluar këtë veprimtari armiqësore e keqbërëse dhe është ndëshkuar nga organet e drejtësisë e që mund të mbajë rezerva, mund të jetë konjukturale ose e shtyrë nga qëllime të veçanta personale që e bëjnë të bashkëpunojë me organet tona”.
Këto shqetësime të komandës së burgut duhen vlerësuar në kontekstin e situatës së përgjithshme politike të vendit, që sigurisht i kalonte kufijtë e telave me gjemba të Spaçit dhe shumë burgjeve të tjera të ngritura prej vitit 1944. Vdekja e Enver Hoxhës dhe kalimi i pushtetit në duart e Ramiz Alisë, i cili nuk mund të krahasohej me parardhësin e tij në pikëpamje të ushtrimit të pushtetit, i zgjoi shpresat te të burgosurit, për shpalljen e ndonjë amnistie. Raste të tilla kishte pasur, si psh. destalinizimi i kryer në Bashkimin Sovjetik nga Hrushovi, pas vdekjes së Stalinit, çka shënoi lirimin e mijëra njerëzve nga kampet e punës dhe burgjet. Sigurisht që, Shqipëria nuk kaloi në këtë proces. Madje, masat e marra në burgje, ku ishin mbledhur edhe armiqtë kryesorë të pushtetit komunist, do të ashpërsoheshin dhe survejimi ndaj tyre do të rritej.
Në këtë kuadër, për të rritur kontrollin ndaj “armiqve dhe elementëve të rrezikshëm të pushtetit” do të zhvilloheshin teknika dhe strategji të reja. Bie në sy që ka një ndryshim përsa i përket mënyrës së rekrutimit të bashkëpunëtorëve. Nëse pas revoltës së vitit 1973, bashkëpunëtorët që vinin nga radhët e të dënuarve për krime kundër shtetit rekrutoheshin kryesisht me masa shtrënguese, tani synohet që tërheqja e tyre të realizohet mbi baza vullnetare. Ndërkohë që, me të burgosurit që ishin në përpunim, pra që survejoheshin nga Sigurimi për veprimtari armiqësore, duhej të vazhdohej të këmbëngulej që me shtrëngim të pranonin bashkëpunimin. Po ashtu, duhej të shtoheshin kontaktet me agjenturën. Procesi i përpunimit agjenturor duhej të thellohej nëpërmjet aplikimit të Teknikës Operative (TO), pra regjistrimit audio. U vendos të mos kishte përpunime pa aplikuar TO. Për këtë gjë duhej që të TO të mos përdorej vetëm e stacionuar, por të përdorej në mjediset ku objektet zhvillonin “veprimtarinë armiqësore”. Më tej, përdorimi i TO do të shërbente për të provuar edhe besnikërinë e bashkëpunëtorit.
Sipas një informacioni të datës 10.02.1988, në repartin e riedukimit 303 Spaç vuanin dënimin 272 të burgosur politikë. Prej tyre, 79 ishin të aftë dhe punonin në minierë. 141 ishin të aftë për punë në sipërfaqe, jashtë galerive. Prej tyre ishin të angazhuar me punë vetëm 72. Të aftë për punë të lehta ishin 15 vetë, prej të cilëve vetëm 10 ishin në marrëdhënie pune. Të paaftë për asnjë lloj pune ishin 37 të burgosur. Për asye shëndetësore dhe mungesë vendesh pune të papërshtatshme, nga shuma e përgjithshme prej 272 të burgosurish, 111 prej tyre nuk punonin fare. Kjo gjë e shqetësonte komandën e burgut. Sipa tyre, qëndrimi pa punë i tyre në kushte banimi e kontakti me të burgosurit e punësuar ndikonte negativisht te pjesa tjetër dhe sillte shqetësime, si në zbatimin e orarit të veprimeve ashtu edhe për thyerjen e disiplinës. Për më tepër që qëndrimi i tyre i pandërprerë në kamp shkaktonte vështirësi në organizimin e takimeve sekrete me rrjetin agjenturor brenda kampit.
Kështu që, u arrit në përfundimin se “lëvizja e të dënuarve të sëmurë, të pa aftë dhe të pa punë nga ky repart riedukimi, do të ndikojë pozitivisht në forcimin e disiplinës dhe organizimin e punës agjenturoro-operative”.
Më 29.09.1988 në Spaç vuanin dënimin 239 të burgosur politikë dhe 542 të dënuar për krime ordinere. Ndërsa në repartin 303/1 Gurth-Spaç ishin 247 të burgosur ordinerë, të gjithë nën moshën 25 vjeç. Burgu i Spaçit ruhej me tre toga ushtarësh dhe dy toga policësh, ndërsa ai i Gurthit ruhej me një togë ushtarësh dhe një togë policësh.
Në një relacion sekret të komandës së burgut (ekzemplar i vetëm) të datës 5 korrik 1990 “Për transferimin e të dënuarve për krime kundër shtetit nga reparti i riedukimit 303 Spaç” shkruhet se, prej vitit 1968, kur u hap ky burg, numri i të burgosurve ka ndryshuar. Tendenca ka qenë gjithmonë në uljen e numrit, si pasojë e lirimeve, transferimeve të vazhdueshme etj. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, në edhe në Spaç, sikurse edhe në burgjet e tjera ku mbaheshin të politikë, u futën edhe të dënuar ordinerë. Me shumë mundësi, kjo ishte një lëvizje e llogaritur dhe jo e rastësishme. Sistemi po lëkundej dhe duhej të krijohej përshtypja se nuk kishte pasur ndonjëherë qëndresë ndaj regjimit.
Të burgosurit punonin në minierë për nxjerrjen e bakrit dhe piritit. Prej vitit 1986, të burgosurit politikë punuan vetëm në zonën e dytë për nxjerrjen e mineralit të piritit, ndërsa frontet e tjera të punës për prodhimin e bakrit u mbuluan me të burgosurit ordinerë.
Në qershor të vitit 1990 në këtë burg ishin 228 të dënuar politikë. Prej tyre ishin të aftë për punë në minierë vetëm 27. Për punë në sipërfaqe 64 dhe pjesa tjetër ishte e paftë për asnjë lloj pune. Gjithmonë sipas këtij raporti, duke marrë parasysh faktin se, në minierë, ose në zonën e dytë siç quhej, duheshin më shumë të dënuar për krime kundër shtetit që të prodhonin pirit dhe numri aktual i tyre në kamp ishte i vogël, Drejtoria e Zbatimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme vendosën që të transferonin të dënuarit politikë nga Spaçi në reparte të tjera riedukmi.
Si rrjedhim, 60 të burgosur u dërguan në repartin e riedukmit 311 në Qafë-Bar, në Repartin 313 në Tiranë u dërguan 29 të tjerë dhe 139 të burgosur shkuan në Repartin 305 në Sarandë. Kësisoj, në fund të muajit qershor 1990, në Spaç nuk kishte asnjë të dënuar politik.
Në këtë burg mbetën vetëm 438 të dënuar për krime të tjera ordinere. Në fund të muajit korrik 1991 edhe ata u transferuan në burgun e Lezhës. Me këtë veprim ishte shkrirë përfundimisht reparti i riedukimit 303 Spaç dhe në vend të burgosurve erdhën punëtorë të lirë për të punuar në minierë. Në njëfarë mënyre regjimi arriti që, sapo filluan lëvizjet demokratike ta mbyllë burgun e Spaçit, si për të fshirë gjurmët e së kaluarës. Në vitin 1991, ish-burgu i lënë pa ruajtje dhe në mëshirë të fatit, filloi të shkatërrohet dhe të bastiset sapo u larguan rojet prej tij. Në një farë mënyre, u përmbush strategjia e paracaktuar nga Byroja Politike. Dhe aq mirë, saqë sot është pothuajse e pamundur ta kthesh atë vend në një memorial të kujtesës, vuajtjes dhe qëndresës antikomuniste. Përveçse mureve të zhveshura, nuk gjen dot më asnjë batanije, me të cilën mbuloheshin të burgosurit. Që të rikthehet në gjendjen e dikurshme për qëllime muzeale, as që bëhet më fjalë! U vodh e shkatërrua gjithçka! Trishtohesh kur në ish dhomat e burgut, pa dyer e dritare, sot mund të lexosh nëpër mure vetëm shënimet e pikëve të pesëkatëshit, që janë lënë si kujtim nga banorët e fundit të Spaçit.